Politike

Basha kërcënon socialistët dhe bankat me antimafian e SPAK-un

Në kohën që Parlamenti po shqyrtonte në seancë plenare ligjet e kthyera nga Presidenti Ilir Meta, mes të cilëve edhe ligjet për koncesionet e dy rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum-Dukat, Lulzim Basha doli në një konferencë për mediat ku paralajmëroi me ndjekje penale deputetët që do të rrëzojnë dekretet e Presidentit dhe miratojnë ligjet në fjalë.

“Çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të votuar këtë vjedhje me ligj e paralajmërojmë se nesër do të jetë subjekt i ligjit antimafia. Sot po ju vëzhgojmë, nesër do t’ju ndjekim këmba-këmbës, çdo pronë dhe pasuri e juaja brenda dhe jashtë Shqipërisë, do të jetë në lupën e ligjit antimafia dhe të SPAK-ut. Ajo çfarë votohet sot nga landfilli i Republikës është një vjedhje me ligj, që është diskutuar në restorantin privat të Kryeministrit”, tha Basha.

Kreu i PD-së tha se Parlamenti është shndërruar në një organ noterizues të çdo akti dhe firme të grabitjes së pasurive të shqiptarëve nga Edi Rama dhe ministrat e tij. Ai i cilësoi dy ligjet për ndërtimin e rrugëve sipas skemës partneritet publik-privat si grabitja më e madhe në historinë e pluralizimit shqiptar.

“Vetëm një Parlament peng i krimit dhe oligarkëve mund të bëhet peng i një vepre kaq kriminale dhe hajdutërore”, tha ai.

Paralajmërimi për deputetët socialistë që ngrenë kartonin për këto dy projekte ishte i pari, por jo i vetmi.

“Do t’u dërgohet një letër bankave të nivelit të dytë për t’i paralajmëruar se çdo financim, kredi apo garanci bankare për këto koncesione do t’i bëjë bankat subjekte të ndjekjes antimafia, do t’i vendosë menjëherë në vëmendje të opozitës sot dhe qeverisë nesër në bashkëpunim me SPAK, BKH dhe institucione të tjera ligjzbatuese të Shqipërisë dhe vendeve të tjera partnere", vijoi Basha.

Paralajmërimi i fundit ishte për të gjithë personat që përfshihen drejtpërdrejtë apo tërthorazi në këto koncesione.

“Mos u bëni pjesë e vjedhjes me ligj, sepse ju pret i njëjti fat me grabitësin dhe hajdutin psiqik, Edi Rama dhe bandës së tij të oligarkëve të pangopur”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë