Politike

Meta kthen ligjin e Milot-Balldre: Maskim për korrupsionin dhe shpëtuar drejtësisë

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin që i hap rrugë ndërtimit me koncesion të rrugës Milot-Balldre. Në vendimin e zbardhur, Presidenti thotë se në ligjin në fjalë vëren disa shkelje.

Së pari, thotë Meta, ligji bie ndesh me interesin publik dhe shkel parimet e konkurrencës dhe të barazisë përpara ligjit.

Së dyti, Meta thotë se kontrata e formalizuar mes palëve nuk është transparente ndaj publikut dhe pa asnjë bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj.

Së treti, Meta vëren se mungon një studim i qartë i ndikimit ekonomik, çka sipas tij kërcënon financat e shtetit.

Meta vëren së katërti se mungon edhe studimi i fizibilitetit të plotë dhe objektiv të hartuar dhe miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj për këtë punë.

Në arsyen e gjashtë, Presidenti gjen shkelje nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që nuk ka dhënë miratimin konform kërkesave të ligjit që e rregullon këtë proces.

Në pikën e shtatë, Presidenti thotë se ligji në fjalë rrezikon seriozisht buxhetin e shtetit pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të rrugës në ekonominë e vendit.

Në fund, Presidenti e cilëson ligjin një akt për të mbuluar korrupsionin.

“Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”, thotë kreu i shtetit.

Në tre ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta i ka kthyer tre ligje mazhorancës. Ai e nisi me ndryshimet në Kodin Penal, pasoi me ndryshimet në ligjin për koncesionet dhe PPP-të dhe e mbylli me anulimin e ligjit që jep me koncesion Milot-Balldre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë