Me të njëjtin arsyetim ligjor që ktheu ligjin e kontratës koncesionare të rrugës Milot-Balldre, Presidenti Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend edhe ligjin për rrugën Orikum-Dukat.
Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të Presidencës pa u mbushur ende 24 orë nga bllokimi i projektit Milot-Balldre. Presidenti thotë se në relacionin e Këshillit të Ministrave dhe raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, nuk qartësohet nëse është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, në çfarë faze është dhënë, si dhe cili ishte akti miratues i dhënë prej këtij organi.
“Nga shqyrtimi tërësor i praktiktës së ndjekur për këtë koncesion rezulton se, përgjatë procedurave të ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk citohet të jetë dhënë miratim i projektit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë”, vlerëson Ilir Meta.
Veç kësaj, Presidenti thotë se nga shqyrtimi i dokumentacionit vëren se vlera e dakordësuar mes palëve për realizimin e kësaj vepre është më e lartë se kostoja e parashikuar nga vetë Qeveria.
“Referuar shqyrtimit të dokumenteve të procedurës rezulton se kostoja e projektit do të jetë 50 147 416 euro, pa TVSH, ndërsa në relacioni e Këshillit të Ministrave parashikohet se vlera e projektit për 13 vjet, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës “Porti i Jahteve– By-pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”, sipas specifikimeve teknike e parashikuar në vlerën totale 70 119 755 euro, dhe pas negocimit dhe dakordësimit ndërmjet palëve, ajo do të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në sipas propozimit të ri financiar, të rishikuar. Pra, duket qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 359 926 Euro plus TVSH është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim”, thotë ai.
Meta ktheu një ditë më parë për rishqyrtim në Kuvend ligjin që i hap rrugë ndërtimit me koncesion të rrugës Milot-Balldre. Në vendimin e zbardhur, Presidenti thotë se në ligjin në fjalë vëren disa shkelje.
Së pari, thotë Meta, ligji bie ndesh me interesin publik dhe shkel parimet e konkurrencës dhe të barazisë përpara ligjit. Së dyti, Meta thotë se kontrata e formalizuar mes palëve nuk është transparente ndaj publikut dhe pa asnjë bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj. Së treti, Meta vëren se mungon një studim i qartë i ndikimit ekonomik, çka sipas tij kërcënon financat e shtetit.
Meta vëren së katërti se mungon edhe studimi i fizibilitetit të plotë dhe objektiv të hartuar dhe miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj për këtë punë. Në arsyen e pestë, Presidenti gjen shkelje nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, që nuk ka dhënë miratimin konform kërkesave të ligjit që e rregullon këtë proces. Në pikën e shtatë, Presidenti thotë se ligji në fjalë rrezikon seriozisht buxhetin e shtetit pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të rrugës në ekonominë e vendit. Në fund, Presidenti e cilëson ligjin një akt për të mbuluar korrupsionin.
“Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit”, thotë kreu i shtetit.
Në katër ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta i ka kthyer katër ligje mazhorancës. Ai e nisi me ndryshimet në Kodin Penal, pasoi me ndryshimet në ligjin për koncesionet dhe PPP-të dhe e mbylli me anulimin e ligjit që jep me koncesion Milot-Balldre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.