Politike

Ekonomia sipas PD, “luftë” oligarkisë dhe një paralajmërim për bankat

Pavarësisht shifrave të ofruara nga qeveria, perceptimi i një pjese të mirë të shqiptarëve është “gri” mbi gjendjen e ekonomisë në vend. Edhe raportet e institucioneve ndërkombëtare e konfirmojnë këtë perceptim dhe flasin për faktorë të shumëfishtë që kërcënojnë rritjen, që nga korrupsioni, taksat e deri tek burokracitë.

Por si dilet nga kjo situatë? Lulzim Basha shpalosi shtyllat kryesore të platformës së Partisë Demokratike mbi ekonominë dhe duke iu referuar “sinjalizimeve” që ka marrë flet për abuzime më të mëdha me paratë publike të parashikuara brenda këtij viti. Për këtë ai pati një paralajmërim jo vetëm për Qeverinë, por edhe për bankat dhe institucionet e tjera financiare.

“Kemi sinjale që 1,5 miliardë dollarë kontrata korruptive do të hidhen në treg këtë vit. E paralajmëroj sistemin bankar dhe institucionet financiare të mos bëhen pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë t’i marrë me vete”, u shpreh ai.

Detyra e parë që Basha i ka vendosur vetes nesër si Kryeministër është një.

“Më së pari, sistemi ekonomik duhet çliruar nga zaptimi i trefishtë i tregut: Krimi, Oligarkia dhe Burokracia”, deklaroi Basha.

Në programin e prezantuar gjatë një aktiviteti me shoqatat e biznesit dhe sipërmarrësit, kreu i PD-së thotë se “trinomi” Krim-Oligarki-Burokraci po i merr frymën ekonomisë dhe premton se paketa ligjore e opozitës është zgjidhja e duhur.

“Paketa jonë ligjore e propozuar është e plotë, ajo do të zbatohet e plotë dhe do të ketë efekt vetëm nëse zbatohet e plotë. Oligarkia meriton të njëjtën luftë si krimi. Ajo vjedh e grabit të sotmen dhe të ardhmen, njësoj si krimi. Një grusht kompanish të oligarkwve dhe rrjetit të tyre fitojnë thuajse të gjithë tenderët shtetërorë, kontratat PPP, lejet e licencat, me çmime superfavorizuese për ta, me fonde limite që i caktojnë vetë dhe i fitojnë vetë. Grabitje e financave publike, rritje e borxhit për çdo shqiptar. Oligarkia, në bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, po rrënon biznesin e vogël e të mesëm dhe po dekurajon edhe biznesin e madh, që nuk është pjesë e tepsisë së pushtetit”, vijoi ai.

Sa i takon sistemit të taksave, Lulzim Basha paraqiti shkurtimisht katër propozime. Së pari është ndërtimi i një sistemi tatimor të thjeshtë, që beson se do të japë frytet si për tatimpaguesin, ashtu edhe për interesin publik.

Së dyti është ngritja e një administrate tatimore që t’u shërbejë qytetarëve dhe jo t’i gjobisë, siç Basha thotë se është aktualisht.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/401466907283765/

Së treti është ulja e taksave. “Duam të lëmë sa më shumë para në xhepin e njerëzve, duke besuar fort së këto para kanë më shumë vlerë nëse administrohen nga vetë njerëzit dhe sipërmarrësit, sesa nga burokratët e administratave”, u shpreh Basha.

Pika e katërt synon distancimin e inspektorëve dhe kontrollorëve. “Kjo reformë fiskale synon të ulë kostot e vetëdeklarimit nga ana e tatimpaguesit. Inspektoratet e çdo lloji, që janë kthyer në banda grabitqarësh dhe që po lemerisin cilindo që ka një aktivitet tregtar, mbushur me injorantë partiakë, hajdutë ordinerë, që vendosin gjoba dhe vetëm gjoba për të mbushur xhepat e tyre, do të riorganizohen me anë të një reforme prioritare, që do të kryhet brenda 100 ditëve të para të qeverisë sime. Inspektoriatet e reja do të ringrihen mbi bazën e ligjshmërisë, meritës profesionale, etikës dhe transparencës”, u shpreh kreu i PD-së.

Kryetari i PD-së thotë se sipërmarrja po ngulfatet nga oligarkia e lidhur me Edi Ramën, se investimet e huaja janë në rënie pikiatë dhe fermerët të mbytur nga konkurrenca e pandershme e sistemit oligarkik të importeve, grumbullimeve dhe shitjes së produkteve të tyre

“Pasojat e një ekonomie të tillë bien mbi çdo shtresë shoqërore. Të varfrit, mosha e tretë, por edhe shtresa e mesme gjithashtu. Të gjithë sot, pas gati 6 vitesh janë më keq, blejnë më shtrenjtë, nuk kanë rritje për pagat dhe pensionet, janë përjashtuar nga ndihma shtetërore, nuk kanë shpresë për punësim, kurim e përkujdesje”, u shpreh ai.

Basha njohu se rimbursimi i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ka qenë një problematikë edhe gjatë qeverisjes së demokratëve, por me Edi Ramën thotë se situata është përkeqësuar. Edhe për këtë propozon një zgjidhje.

“Thelbi i zgjidhjes do të jetë alokimi i një fondi të veçantë, të barabartë me nevojat vjetore për rimbursim. Ky fond do të menaxhohet nga një trupë e përbashkwt administratë - biznes, e cila do të trajtojë automatikisht çdo kërkesë për rimbursim”, thotë Basha.

Në fund, kreu i demokratëve u shpreh i bindur se me masat e sipërpërmendura dhe me premtimin e ofrimit të paketës taksuese më tërheqëse në Europën Juglindore, Shqipëria do të radhitet mes 30 vendeve më joshëse për investitorët e huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë