Politike

Letra e hapur Berishës/ Murrizi: Pse Gazi, Agroni apo Jorida duhet të ‘gradohen’ pa votë? Fraksioni po del shumicë

Letra e hapur Berishës/ Murrizi: Pse Gazi, Agroni apo Jorida duhet të ‘gradohen’ pa votë? Fraksioni po del shumicë

Ish-deputeti Myslim Murrizi, (aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar i Rithemlimit) ka publikuar një letër të hapur për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike. Duke iu drejtuar Sali Berishës, ai  thekson se hapja e partisë është domosdoshmëri, por shqyerja e saj nën emrin hapje është fatale.

Duke nisur nga situata e fundit ku Këshilli Kombëtar do të kooptojë pa votë, (duke ndryshuar disa pika të statutit), pjesën tjetër të deputetëve, Murrizi i cili është zgjedhur anëtar i Këshillit duke u votuar direkt nga elektorati i PD-së, shtron disa pyetje në letrën e tij publike drejtuar Berishës  

Ai nënvizon se duhet mbledhur një Kuvend Kombëtar i jashtëzakonshëm që të anulojë disa vendime të Kuvendit Kombëtar të datës 11 dhjetor 2021, sepse të gjithë ata qe do të kooptohen janë të përjashtuar.

Mbi të gjitha, ai e vë theksin tek përfshirja në strukturat e larta të partisë me votë

"Në këtë Kuvend le të rizgjidhet një Këshill i ri Kombëtar sepse mbi 30% e të zgjedhurve në 30 prill 2022 nuk janë as fizikisht e as politikisht aktivë e funksionalë. Këshilli i ri Kombëtar pastaj të zgjedhë Kryesinë e re dhe Sekretariatet, e në këtë garë le të kandidojë kush të dojë, por kushdo që kërkon dhe aspiron për post, duhet të vijë vetëm nëpërmjet votës se ndryshe tallemi me veten dhe me çdo demokrat e çdo opozitar kudo që është", shprehet ai.

Ish-deputeti thekson se dyshon shumë në afrimet mes grupeve që po ndodhin brenda PD-së.

"Nuk ka sinqeritet, në këtë bashkim mekanik dhe fals që pas kësaj lëvizjeje ka qëllime të tjera, përsëri me sforco do ta pranoja nëse çdo gjë vjen nga gara dhe nga vota, ndryshe bëhemi më keq se ç’ishim dhe me keq se Rilindja", shprehet ai.

“Jam dakord që Rithemelimi të quhet edhe Rikthimi, por jo të kthehet përmbys çdo gjë e bërë për hatër të kënaqjes se 10 personave sepse Partia është shumë më e madhe se kaq dhe anëtarësia është shumë më shumë e vlefshme se cilido prej nesh.

Jam dakord që mund të ndryshojmë programin dhe boshtin ideologjik të partisë dhe nga konservatore që u tha mund të qëndrojmë ne qendër e djathtë, por jo nga konservatore ta kthejmë në parti konservash.

Jam dakord që fraksionet të kenë përfaqësuesit e tyre në çdo organ drejtues, por jo fraksioneve t’u lihet shumica dhe shumica të dalë fraksion...

Pse Flamuri, Edi, Oerti, Luçiano dhe 20 anëtarët e tjerë të Kryesisë pranuan garën dhe votën e Këshillit Kombëtar, ndërsa Gazi, Agroni apo Jorida e të tjerë duhet të “gradohen” pa votë????

Cili është ndryshimi mes tyre dhe çfarë kanë më shumë apo më të rëndësishme grupi i dytë nga të parët?????

Nëse kjo bëhet atëherë cili është morali që përcjellin për të tjerët?

Apo kush shan më shumë, kush mashtron më shumë, kush rreh apo u hedh gaz lotsjellës demokratëve dhe kush e dredh më shumë për interesa të menderes së tij, respektohet, vlerësohet, gradohet dhe promovohet pa garë????”, nënvizon ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë