Motosport

Letër Hemiltonit nga rreth 50 shoqata: Bojkoto garën në Arabinë Saudite!

Më shumë se 45 shoqata arabe në mbrojtje të të drejtave të njeriut i kanë kërkuar kampionit të botës, Ljuis Hemilton, të bojkotojë “Çmimin e Madh” të Formula 1 në Arabinë Saudite, në Geda, më 3-5 dhjetor. Bëhet fjalë për garën e parë në këtë vend dhe të parafundit në Botërorin e 2021-shit të F.1.

Në letrën dërguar pilotit anglez të Mercedesit, këto shoqata shpjegojnë se mungesa e tij do të ishte një mesazh i fortë në luftën për të drejtat e njeriut. Në letër përmenden lufta në Jemen, arrestimi i disa aktivistëve lokalë dhe vrasja e gazetarit Jamal Khashogi.

Letra është firmosur nga shoqata, si “Code Pink”, “Americans for Democracy”, “Human Rights in Bahrain”, “Yemen Relief and Reconstruction Foundation”, Freedom Forward e International Service for Human Rights”. Hemiltonit i kërkohet të “reflektojë” në lidhje me pjesëmarrjen, ose të paktën ta shfrytëzojë këtë garë “si një vitrinë për të bërë një deklaratë për të drejtat njerëzore”.

Luis Hemilton me grushtin ngritur kundër racizmit. Gazeta Si, 28 shkurt 2021

Piloti anglez, mbështetës i lëvizjes “Black Lives Matter”, është edhe një përfaqësues planetar i një sërë betejash civile kundër racizmit, apo në mbrojtje të ambientit. “Ke treguar një kurajë të madhe në luftën tënde. Nëse piloti më i mirë i F.1 refuzon të garojë në Arabinë Saudite, për këtë çështje do flitet shumë dhe do jetë një ndihmë e madhe për të bindur vendin të ndryshojë më në fund sjelljen mbi të drejtat e njeriut. Do ishte një mesazh se bota nuk është e verbër për të fshehur krimet e luftës dhe dhunimin e të drejtave të njeriut”, - shkruhet mes të tjerash në letër.

Por, duke ditur që mungesa e Hemiltonit në një garë është thuajse e pamundur, këto shoqata i kërkuar atij të paktën të “veshë një fanellë sensibilizuese për Loujain Alhathloul (aktiviste saudite e liruar më 10 shkurt pas më shumë se 1000 ditësh burg) dhe dhënien fund të luftës në Jemen”.

“Duke qenë se shumë gra janë ndëshkuar, sepse kanë dhënë mesazhe të ndryshme, - përfundon letra, - mund të vendosësh një shenjë për to në makinën tënde gjatë garës, apo të veshësh një fanellë me një mesazh për qeverinë saudite, që t’i lirojë nga burgu”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë