Motosport

Leklerk arrin kohën më të mirë në Singapor, Vershtapenin e lë benzina

Gazeta Si – Gjatë kualifikueseve në Marina Bay, Sharl Leklerk ka regjistruar kohën më të mirë, duke arritur kështu ‘pole position’ e 9-të sezonal. Maks Vershtapen nesër do të niset nga vendi i tetë, ai braktisi tentativën e fundit për shkak të nivelit të ulët të karburantit.

Ferrari niset i pari nesër në Singapor. Leklerk u paraqit shumë mirë në pistën e lagur e më pas të thatë, duke arritur ‘pole’ e 18-të në karrierë. Pas tij kanë dalë Red Bull-i i Serxhio Perez dhe Mercedesi i Ljuis Hemilton. Në vend të katërt Karlos Sainz.

Ishte një fund provash i çuditshëm për holandezin Vershtapen. Në fillim ai ngadalësoi shpejtësinë teksa ishte duke arritur kohën më të mirë, kurse në tentativën e fundit u thirr në bokse, sepse po i mbaronte benzina.

Kampioni në fuqi i botës do të niset nga rreshti i 4-t nesër. Para tij janë edhe Fernando Alonso, Lando Norris dhe Pierr Gasli. Holandezi është shtangur dhe pas provave ka thënë se ‘është e papranueshme të mbarojë benzina’. Ferrari ka një shans të mirë nesër në Singapor.

Ljuis Hemilton. Gazeta Si, 1 tetor 2022

Hemilton ndërkohë pas provave është thirrur nga komisarët e pistës. Britaniku duket se ka shkelur rregullat, duke dalë në pistë me sende metalike në trup. Sipas rregullave të reja ato nuk lejohen dhe mund të ketë një penalizim për Hemilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë