Drejtësia

Lejuan 37 ndërtime pa leje në Lushnjë, dënohen 12 persona. Mes tyre 4 inspektorë dhe 2 policë që morën ryshfet

Gazeta Si - Dymbëdhjetë persona, mes tyre dy kryeinspektorë dhe inspektorë të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), si dhe dy policë janë shpallur fajtorë nga Gjykata e Lushnjës me kërkesë të prokurorisë.

Katër inspektorët e IMT-së në Bashkinë Lushnjë përfituan nga gjykimi i shkurtuar dhe u dënuan me nga 4 muaj burg secili duke u hequr edhe të drejtën e ushtrimit të funksioneve publike deri në 3 vite pas vuajtjes së dënimit.

Ndërsa dy policët u dënuan përfundimisht me nga 16 muaj burg duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar. Gjithashtu u hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 3 vjeçare pas vuajtjes së dënimit.

Bëhet fjalë për shkelje që të akuzuarit i kanë kryer gjatë periudhës prill, gusht të vitit 2019, janar 2021 dhe mars 2022 ku në territorin nën administrimin e Bashkisë së Lushnjës janë kryer 37 ndërtime të paligjshme për të cilat nuk është vepruar sipas ligjit nga ana e kryeinspektorit dhe inspektorëve të IMT-së së Lushnjës.

Nga këto ndërtime të paligjshme, 31 janë të periudhës janar 2021 – mars 2022 dhe 6 të periudhës prill- gusht 2019.

Në 25 raste të ndërtimeve të paligjshme, rezulton se nuk janë mbajtur akte konstatimi për të dënuar apo shembur objektet e paligjshme të ndërtuara.

Në kuadër të hetimeve të kryera me metoda speciale u zbulua edhe një rast korrupsioni ku 2 punonjës të policisë, të identifikuar si B.H dhe H.T, kanë marrë para nga të pandehurit P.T dhe E.Sh për të mos raportuar ndërtimet e tyre pa leje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë