Futboll

Leiçesteri drejt mrekullisë së dytë

Mrekullitë ndodhin, ndonjëherë edhe dy herë. Leiçesteri është drejt mrekullisë së dytë në Angli, pasi tani është zyrtarisht ekipi anti-Liverpul në luftën për titullin kampion. Skuadra e drejtuar ngas trajneri Brendon Roxhers është vetmja që ka mbetur në linjën e kryesuesve, falë një Xhimi Vardi të jashtëzakonshëm. Fitorja në fushën e Aston Vilës ishte e teta radhazi për ekipin që pak vite më parë fitoi titullin me trajnerin Klaudio Ranieri në krye.

“Dhelprat” fituan 1-4 ndaj Aston Vilës në Premier League dhe mbajnë vendin e dytë, me 38 pikë, 8 pikë pas Liverpulit që nuk di të ndalet. Leiçesteri përfitoi edhe nga humbja e Mançester Sitit në derbi. Protagonist absolut ishte sulmuesi Xhimi Vardi, i cili shënoi dy gola dhe është hera e tetë radhazi që gjen rrugën e rrjetës. Skema 4-3-1-2 e trajnerit Roxhers ka rezultuar fituese. Ai po aktivizon Madison si trekuartist, pas dyshes së sulmit të përbërë nga Iheanaço dhe Vardi.

Mançesteri Siti i Guardiolës tashmë ka mbetur 14 pikë pas Liverpulit dhe duket se e ka dorëzuar para kohe titullin. Çelsi po reziston, duke qenë në 4-shen e parë, ndërsa Mançester Junajtid, Arsenali dhe Totenhemi janë ende larg, pasi e kanë nisur sezonin shumë keq.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë