Irena Beqiraj

Legalizimi i kanabisit, politikë ekonomike apo siç ka thënë dikur Bilali, pa qenë tym nuk flet dot djali?


Legalizimi i kanabisit edhe zhvillimi i industrisë së tij do të rrisë ekonominë edhe punësimin.

Nëse nuk janë thjesht deklarata ironike shkaku që po ndërmerret një politikë e tille qenkërka ekonomik. 

Po a do të ndikojë legalizimi i kanabisit në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto?

Prodhimi i Brendshëm Bruto është vlera e tregut e të gjitha mallrave dhe shërbimeve të gatshme të prodhuara/ ofruara brenda një vendi në një vit. Duket e thjeshtë të llogaritet, por ka gjithmonë vështirësi. Një prej këtyre vështirësive është përfshirja e mallrave të paligjshëm kur llogaritet PBB-ja. Sipas përkufizimit, mallrat ilegale duhet të llogariten në PBB. Por në praktikë kjo nuk ndodh, pasi është e vështirë të llogaritet vlera e tregut të mallrave të paligjshme.

A mundet INSTAT të anketonte tregtarët e drogës dhe prostitutat për çmimin e mallrave dhe shërbimeve të tyre?

Por kur një mall i paligjshëm legalizohet, INSTAT mund të anketojë dhe vlera e tregut të mallit tanimë ligjor përfshihet në llogaritjet e PBB-së. Asgjë më shumë nuk është prodhuar por një produkt dikur i panumëruar tani numërohet.

A do të lulëzojë ekonomia ditën që do të legalizohet kanabisi ? A do të përfundojë recesioni atë ditë? A do të bëhemi të gjithë më të pasur vetëm pse vendosëm të numëronim një produkt apo një shërbim që ishte por nuk numërohej ?

Një shembull interesant vjen nga Italia e vitit 1987 ku zyrtarët njoftuan se do të përmirësonin metodologjinë e matjes së PBB-së e cila u rrit me rreth një të pestën,  pasi reflektoi  në numërim ekonominë informale (jo domosdoshmërisht të paligjshme). 

Brenda natës, Italia u bë ekonomia e pestë më e madhe në botë, duke tejkaluar Mbretërinë e Bashkuar. Pasi euforia kombëtare kaloi, italianët e quajtën atë me tallje "il sorpasso", parakalimi.

Pra edhe në këtë rast mrekullia e numërimit do të ndodhë!

Së dyti, në këto raste analizat ekonomike janë thelbësore për një politikë të mirë publike, pasi ofrojnë informacion rreth masës në të cilën një politikë është në thelb ekonomikisht e favorshme ndaj një tjetre. Vendet që kanë legalizuar kanabisin kanë kryer analizat e kostos dhe përfitimit për të vlerësuar kostot dhe përfitimet  në terma monetare të dy opsioneve të politikave të kanabisit, status quo-së (ku përdorimi i kanabisit është i paligjshëm) dhe opsionit të legalizimit. Kostot dhe përfitimet e secilit opsion të politikës  shprehen si përfitimet Sociale Neto (PSN).

Përshembull Australia bëri ketë studim në 2014-n edhe gjeti që përfitimet sociale neto për status quo-në ishin 294.6 milionë dollarë AUD në vit. Për politikën e legalizimit  përfitimet sociale neto ishin 234.2 milionë dollarë AUD , pra jo thelbësisht të ndryshme . Por kur përfshihen edhe të ardhurat e qeverisë nga taksat, përfitimi social neto për legalizimin ishte më i lartë se sa për status quo-në.  

A e kemi ne një analizë të tillë? Apo e bëjmë se e ka bërë bota?

Ndërkohë vendet që kanë përfituar më së shumti nga legalizimi i kanabisit  kanë pasur industri të zhvilluar farmaceutike apo kozmetike. (Kanada, Gjermani, Amerikë) Ne nuk e kemi një të tillë. Këtu lind pyetja e dytë si do të krijojë Shqipëria  avantazh konkurrues afatgjatë nga zhvillimi i industrisë së kanabisit për qëllime mjeksore pa pasur një industri qoftë edhe modeste farmaceutike? 

Së treti, edhe vetëm prodhimi i lëndës të parë për industrinë  farmaceutike të kanabisit ka nevojë për njohuri edhe kërkim. Thënë këtë nëse e kemi seriozisht zhvillimin e këtij sektori ( e nuk po qepim ndonjë politikë enkas për 2 apo tre klientë ) cili është sistemi kombëtar i kërkimit që po planifikohet të ngrihet për sektorin i cili do të shpërndajë njohuritë kyçe për zhvillimin e tij? Sepse shumë biznese duke filluar nga kultivuesi e deri tek përpunuesi i kanabisit kanë dështuar prej njohurive .

Nëse ndonjë nga mbështetësit e legalizimit ka ndonjë informacion sesi këto tri çështje do të trajtohen ne vendin tonë, kemi politikë reale për kanabisin mjekësor.

Ndryshe .... si ka thënë dikur Bilali, pa qenë tym nuk flet dot djali"


Copyright © Gazeta “Si”