Politike

LDK i jep 5 ditë afat Kurtit për paktin. Të enjten i dërguari i SHBA në Kosovë

Formimi i qeverisë së re në Kosovë me anë të një koalicioni politik mes Lëvizjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes duket tejet i largët për momentin. LDK mblodhi pasditen e së hënës Kryesinë për të biseduar për situatën e re të krijuar, pasi presidenti Thaçi firmosi dekretin duke e mandatuar Albin Kurtin si kryeministër.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjesm, ka vlerësuar se marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje duhet të përfundojë gjatë kësaj jave, në të kundërtën, siç ai është shprehur, duhet të konstatohet se nuk ka kushte që të arrihet marrëveshja mes palëve.

“Ne kemi dhënë një propozim që kemi vlerësuar që është propozim shumë i balancuar, që mendojmë që LVV duhet ta trajtojë me vëmendje të veçantë dhe mbesim të hapur që të ulemi të bisedojmë, por që ajo ulje, ajo bisedë e jona të ketë një përfundim sa më të shpejtë, mundësisht deri në fund të kësaj jave, në mënyrë që ta bëjmë marrëveshjen ose të konstatojmë se nuk ka kushte që marrëveshja të bëhet”, deklaroi Mustafa.

LDK, siç Mustafa ka vazhduar, mbetet e përkushtuar që marrëveshja finale për bashkëqeverisje me LVV-në, të arrihet sa më parë. “Ne mbetemi të përkushtuar që të punojmë për një marrëveshje e cila respekton vullnetin e qytetarëve në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar. Ne do ta respektojmë këtë dhe mendojmë që marrëveshja duhet ta nxjerrë në pah një qeveri të balancuar dhe përgjegjësi të balancuara ndërmjet dy palëve, në harmoni me atë që qytetarët na e kanë dhënë besimin me votën e tyre”, ka theksuar Mustafa tutje.

"Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë e ta arrijmë marrëveshjen deri në fund të kësaj jave, ose të konkludojmë që nuk ka kushte për marrëveshje”, theksoi Mustafa.

Parlamenti i Kosovës përbëhet nga 120 deputetë. Koalicioni me LDK-në është parë si zgjedhje kryesore nga Vetëvendosje që përpara votimeve të 6 tetorit 2019. Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, VV mori 29 deputetë, ndërsa LDK 28 deputetë.

Nga partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës fitoi 24 deputetë, koalicioni i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Social-Demokrate 13 deputetë, Lista Serbe 10 deputetë, koalicioni mes Nisma, AKR dhe Partia e Drejtësisë 6 deputetë dhe 10 deputetë të tjerë morën partitë e vogla minoritare.

Grenell dhe Trump

Mediat raportojnë se në Kosovë se më 23 janar pritet të mbërrijë i dërguari i posaçëm i SHBA-, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Zyrtari amerikan gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet me liderët shtetërorë. Në fokusin e bisedimeve mund të jetë edhe bisedimi mes liderëve politik të Kosovës për formimin e qeverisë, veç çështjes të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi arritjes së marrëveshjes për rivendosjen e fluturimeve mes dy shteteve. Vizitën e Grenell e ka konfirmuar edhe Vuçic, i cili ka bërë të ditur se do ta presë diplomatin amerikan në Serbi këtë javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë