Futboll

Lautaro-Alvarez, miqtë kundërshtarë me një llogari të hapur në Stamboll

Gazeta Si – Lautaro Martinez është ‘bomberi‘ kryesor i Argjentinës së Skalonit, por në Botëror Julian Alvarez i mori vendin. Nga festimet së bashku te finalja e Championsit, historia e raportit mes dy sulmuesve.

Një sfidë brenda sfidës mes dy miqve që deri dje luftonin për një objektiv të përbashkët, tani "armiq" drejt lavdisë. Takohen të shtunën në Stamboll, ku Interi dhe Mançester Siti do të luajnë për kupën me veshë të mëdhenj, ndërsa ata për një mbrëmje do të jenë kundër njëri-tjetrit 5 muaj e gjysmë pas Kupës së Botës që fituan bashkë në Lusail.

Lautaro Martinez ne stervitjen e Interit. Gazeta Si, 8 qershor 2023

Nga një anë Lautaro Martinez, titullar dhe pikë referimi e sulmit të Interit, në anën tjetër bashkombasi Julian Alvarez, prania e të cilit në fushë nga minuta e parë është më pak e mundur.

Në fushë ose në distancë, ajo e së shtunës do të jetë gjithsesi një sfidë mes 2 sulmuesve të Argjentinës, ata që janë zgjedhur nga trajneri Lionel Skaloni për atë që njihet tashmë si ‘Scaloneta’ dhe që u ngjit në majën e futbollit botëror në Katar.

Nuk ka asnjë ‘peng’ apo sens rivaliteti nga ‘Toro’, që gjatë Botërorit duhej të luftonte me një dëmtim në kavilje, që për pasojë bëri që t’ia linte vendin pikërisht Alvarezit. Megjithatë, Championsi të shtunën mund të jetë edhe një lloj revanshi. Ndoshta edhe për të saktësuar atë statusin e "numrit 1”, që Lautaro shijon ende në vendin e tij.

Fakti që titullar në Katar ishte Alvarez nuk i ka prishur hierarkitë në grupin argjentinas, sipas trajnerit Skaloni: "Lautaro Martinez ka qenë gjithmonë thelbësor dhe është i preferuari im. Në Botëror pati probleme dhe menduam për të mirën e skuadrës, por kur ka qenë nevoja ai është përgjigjur gjithmonë".
Në anën tjetër, për bomberin nga Bahia Blanka flasin numrat, edhe ata me fanellën zikaltër, sigurisht.

autaro është sulmuesi më i mirë i ciklit Skaloni, me 21 gola në 48 ndeshje, i 8-ti në klasifikimin e të gjitha kohërave. Ai është sot sulmuesi i 3-të U-25 më profilik, me 150 gola, pas Mbape (283) dhe Haland (208).

Lautaro është mbi të gjitha lideri i një skuadre që ka fituar 5 trofe në 3 vitet e fundit dhe vjen në një formë shumë të mirë në finalen e Stambollit, pas sezonit më të mirë që pas mbërritjes së tij në Milano. Ka një rekord personal në zonën gol (28) dhe ka arritur kufirin e 100 golave me zikaltrit.

Julian Alvarez. Gazeta Si, 8 qershor 2023

Edhe numrat e Alvarez nuk janë keq, po të kemi parasysh faktin se te Mançester Siti ka një konkurrencë shumë të fortë. Me Haland në skuadër nuk është e lehtë të gjesh hapësirë. Ai e ka mbyllur sezonin e parë në Angli me 17 gola dhe 5 asiste në 49 ndeshje. Në total ka 78 goal në 191 ndeshje mes klubeve dhe kombëtares, me një mesatare 0.41 golash për ndeshje.

Në favor të Lautaro Martinez peshon shumë rrugëtimi i gjatë para Katarit, i shenjuar nga kualifikueset botërore dhe Kupa e Amerikës së fituar në Brazil, me një ‘Toro’ "on-fire".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë