Futboll

Largohet Sulejman Starova, Laçi rikthen Cungun në stol

Sulejman Starova është trajneri i parë që “paguan” në Superiore. Kryeqytetasi i njohur është larguar nga drejtimi i Laçit, që në këtë fillim të kampionatit nuk ka arritur rezultatet e duhura dhe drejtuesit e klubit kurbinas kanë vendosur për ndryshimin në stol. Gjithçka ka marrë formë zyrtare sot, kur Starova ka shkëputur marrëdhëniet me Laçin, duke i lënë vendin një tjetër trajneri.

Ai është Armando Cungu, shkodrani që e ka drejtuar edhe më parë këtë skuadër dhe e njeh mirë ambientin dhe një pjesë të mirë të futbollistëve. Pas shtatë javësh kampionat, Laçi mban vendin e tetë me 7 pikë, shumë larg pritshmërive. Me ndryshimin në stol pritet që situata të marrë tjetër drejtim.

Armando Cungu, trajneri i ri i Laçit. Gazeta Si, 14 tetor 2019

Starova ishte vetëm një nga trajnerët e rrezikuar në Superiore, pasi në kushtet e tij janë edhe disa të tjerë. Tirana në momentin e fundit konfirmoi Ardian Memën, që ishte pranë largimit. Franko Lerda dhe Shpëtim Duro gjithashtu janë në shënjestër. Klubet e mëdha nuk kanë bindur në startin e kampionatit dhe largimi i Starovës pritet të pasohet nga të tjera shkarkime në vazhdim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë