Futboll

Largohet Sadedini, Flamurtari e sheh të keqen te trajneri

Dritan Sadedini është shkarkuar nga detyra e trajnerit të Flamurtarit. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e klubit vlonjat. Një vendim i paralajmëruar nga administratori Sinan Idrizi që pas humbjes me Vllazninë dje në mbrëmje, ku më i shigjetuari ishte pikërisht trajneri. Emri më i lakuar për të zënë vendin e Sadedinit është ai i Artan Sakajt, ish-futbollistit të Flamurtarit, i larguar pak ditë më parë nga Oriku.

Kriza e vlonjatëve ka marrë përmasa të mëdha këtë sezon. Si kurrë më parë në historinë e tij, Flamurtari ka marrë vetëm 2 pikë në 9 ndeshje dhe rënia një kategori më poshtë duket e sigurt. Vetëm një mrekulli mund ta shpëtojë. Në gjendjen aktuale edhe trajneri mund të ketë përgjegjësitë e veta, por sigurisht që nuk është ai problemi i vetëm. Kriza u pa që në verë, kur vlonjatët u organizuan me emergjencë në minutat e fundit. Thuajse të gjithë lojtarët e sezonit të shkuar u larguan, edhe vetë vlonjatët, duke të ardhmen e zymtë. Klubi ka probleme financiare dhe rezultatet pritej të ishin zhgënjyese, ndoshta jo deri në këtë pikë.

Mbetet të shihet se çfarë do të ndryshojë me trajnerin e ri, por ka pak mundësi që ai, kushdo qoftë, të bëjë mrekullinë. Pa lekë, nuk ka futboll. Flamurtari po përjeton një nga momentet më të vështira të historisë së tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë