Lajme

Largohet drejtori dhe 21 inspektorë të Hetimit Tatimor në Shkodër

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion në prezantimin e rezultateve javore të luftës antikorrupsion bën me dije se është kërkuar largimi nga detyra i drejtorit të Hetimit Tatimor në Shkodër, Mirsad Sydja dhe 21 inspektorëve, ndërsa 14 të tjerë janë paralajmëruar.

Pikënisja e hetimeve të Task Forcës Antikorrupsion në Drejtorinë e Hetimit Tatimor është bërë denoncimi me fakte dhe prova nga një person që nuk dihet ende nëse është apo jo biznesmen. Menjëherë pas këtij denoncimi Task Forca Antikorrupsion ka ushtruar kontroll me objekt verifikimin e zbatimit të kuadrit ligjor në marrjen e masave administrative ndaj subjekteve ekonomike dhe ekzekutimin e tyre.

Gjatë kontrollit janë konstatuar një sërë shkeljesh të ndryshme të cilat lidhen me mosrespektimin e kritereve ligjore, shkelje të rregullave të inspektimit apo mangësi në plotësimin dhe mbajtjen e dokumentacionit përkatës. 

Gjithashtu, ministrja tha se janë proceduar edhe 4 ish-punonjës të ZVRPP Kavajë, për të cilët Gjykata e Apelit Durrës ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërkohë, nga ana e Policisë së Shtetit janë referuar materialet në Prokurori edhe për një ish-kryetar komune në Lezhë dhe 2 ish-komisionerë për ndarjen e tokave në Velipojë të Shkodrës për korrupsion dhe falsifikim të dokumenteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë