Lajme

Lu ikën në Kirgistan, “amanetet” për drejtësinë dhe peshqit

Mandati i ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu ka përfunduar dhe tashmë ai do të vijojë misionin diplomatik në një tjetër vend, shumë larg Shqipërisë, në Kirgistan. Për këtë largim të tij nga vendi ynë, pasi shërbeu më shumë se tre vite ka reaguar edhe vetë përfaqësia e Washingtonit në Tiranë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada e ShBA në Tiranë ka publikuar një karikaturë shumë domethënëse dhe që le edhe porositë e Lu.

Në karikaturën në fjalë, ambasadori Lu zbret nga një makinë, e cila vijon rrugën e saj me destinacion reformën në drejtësi dhe Bashkimin Europian. Diplomati amerikan ndalon për të marrë një tjetër drejtim drejt vendit të ri ku ai do të shërbejë, Krigistanit në Azinë qendrore. Në karikaturën shumë domethënëse ka vend edhe për dekriminalizimin dhe burgun, dy fjalë të lidhura me njëra tjetrën dhe shumë të lakuara nga ambasadori Lu në këto tre vite që  shërbeu në kryeqytetin shqiptar. Por në këtë karikaturë të publikuar nga ambasada amerikane nuk kishte se si të mungonte as një ilustrim i "peshqve të mëdhenj", aq shumë të përmendur nga Donald Lu që nga koha kur nisi reforma në drejtësi.

Vendin e Lu në ambasadën e ShBA në Tiranë për momentin do e mbaj zv.ambasadorja Leyla Moses-Ones deri në caktimin e ambasadorit të ri. Kathleen Ann Kavalec u propozua nga Presidenti Trump, por kandidatura e saj është e bllokuar në Washington. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë