Lajme

Ikja e Deutsche Telekom, Ekspertët: Klima e biznesit, e mjerueshme

Sabina Veizaj-Pa përfunduar ende odisea e misterit të Air Albania, një tjetër ngjarje ekonomiko-politike me impakt të rëndësishëm është shtruar në sofrën e shqiptarëve. Gjiganti Deutsche Telekom, i cili zotëron paketën e plotë të aksioneve të Telekom Albania që në korrik të 2015-ës, përmes grupit grek OTE po mendon të largohet nga Shqipëria.

Kompania është shprehur se “Bazuar në prioritetet strategjike, grupi OTE vlerëson në mënyrë konstante të gjitha asetet, përfshirë ato në Shqipëri me qëllim që të krijojë vlerë për aksionerët dhe të avancojë interesat e grupit. Aktualisht është në vazhdim procesi i vlerësimit dhe ka diskutime të rëndësishme me disa subjekte. Sipas praktikave tona ne do të njoftojmë autoritetet dhe publikun kur të kemi diçka thelbësore për të njoftuar”.

Mendohet se në garë për të blerë Telekom Albania do të jenë tre kompani, mes të cilave dy bullgare dhe Telekom Srbija.

Telekom Srbija e ka konfirmuar zyrtarisht faktin se kërkon të blejë Telekom Albania që aktualisht është nën pronësinë e gjermanëve të Deutsche Telekom. Kompania Telekom Srbija është shprehur se “Duke dashur të pozicionohet si një lider rajonal telekomunikacioni, Telekom Srbija ka bërë një ofertë për blerjen e Telekom Albania, një kompani nën zotërimin e Deutsche telekom. Në linjë me praktikën e mirë të biznesit, ne nuk mund të komentojmë mbi detajet e një procesi që është duke u zhvilluar”.

Qeveria shqiptare akoma nuk është njoftuar zyrtarisht për blerësin e mundshëm  të Telekom Albania. Ajo ka thënë se do e shprehë qëndrimin e saj vetëm pasi të njoftohet zyrtarisht, megjithëse kemi të bëjmë me një transaksion privat.

Çfarë thonë ekspertët

Ekspertët shprehen të shqetësuar për largimin e investitorëve gjermanë nga vendi.

Sipas tyre, kjo tregon se klima e biznesit në vend jo që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar me hapa të shpejtë.

Për Sherefedin Shehun, ikja e gjigantit gjerman tregon për një klimë biznesi të rënduar dhe pa perspektiv.

Sherefedin Shehu

“Ne jemi një ekonomi e hapur, dhe në parim blerja e Telekomit shqiptar nga Telekomi serb, nuk do të thotë asgjë negative, por shqetësuese është që asnjë investitor strategjik perëndimor nuk sheh perspektivë në Shqipëri. Sepse kompani të këtij niveli kur investojnë parashikojnë shtrirjen në rajon dhe Shqipëria nuk ta jep këtë mundësi.”- thotë Shehu për gazetën “Si” duke shtuar që, “Duke parë investimet e mëparshme si Aeroportin, Banker Petrolium, tani Air Albania kuptojmë që këto janë investime pazaresh parablerjeje dhe shihet tendenca jo europiane e vendit.  Kjo është tepër shqetësuse.”

Edhe për ekspertin Elvin Meka, tërheqja e mundshme e Deutsche Telekom nga tregu shqiptar përbën një lajm aspak të mirë, “jo thejsht për tregun e telefonisë së lëvizshme, por për ekonominë në përgjithësi, pasi një brand i fuqishëm dhe i suksesshëm e cilësor ndërkombëtar i largohet tregut dhe ekonomisë së vogël shqiptare. Kjo pasi ekonomia kombëtare ka përherë nevojë për prani të brand-eve të mirënjohura ndërkombëtare.”

Elvin Meka

Për sa i përket aspektit ekonomik dhe operacional, hyrja në treg e operatorëve të përfolur me origjinë nga Ballkani, për ekspertin Meka, nuk mendohet se do të sjellë ndonjë ndryshim cilësor, apo thelbësor, në funksionimin e këtyre shoqërive, në kushtet kur njihen mirë karakteristikat demografike dhe ekonomike e financiare të tregut shqiptar.

Duke folur për aspektin strategjik eksperti Meka sqaron se “ hyrja e mundshme e një operatori serb do të kishte implikime thelbësore gjeopolitike, nisur nga ajo çka përfaqëson Serbia në realitetin rajonal dhe në kontekstin politik, në raport me faktorin dhe shtetin shqiptar. Telefonia e lëvizshme është një sektor strategjik, që përpunon dhe zotëron të dhëna sensitive të një natyre të sigurisë kombëtare dhe, pavarësisht se operatori ekzistues që ka në pronësi Telekom Albania është me origjinë greke, duhet theksuar se Greqia është vend i Bashkimit Europian dhe NATO-s, kurse Serbia nuk bën pjesë në asnjë prej tyre.”

Sipas Mekës, optimalisht biznese te tilla duhen të jenë të një natyre kombëtare dhe publike dhe pse jo në pronësi, qoftë dhe pjesore, të shtetit. Meka sugjeron se me këtë rast, shteti shqiptar mund dhe duhet të konsiderojë si prioriret riblerjen e plotë ose pjesore të Telekom Albania.

Kurse eksperti Zef Preçi thotë se “shtimi i pranisë së kapitalit kinez, turk, shtimi i presionit të kapitalit me origjinë nga Rusia apo vende të tjera të kësaj natyre,  është dëshmi e lodhjes që kompani serioze të BE-së kanë me klimën e biznesit në Shqipëri, me përmirësimin e ngadalshëm apo përkeqësimin e kësaj klime.”


Zef Preçi 

Kompania që largohet shpjegon Preçi, “kompensohet për vlerën e tregut që zotëron për momentin e dhënë, por ekonomia vendit përfitues i nënshtrohet një shfrytëzimi të egër, nuk ndodhin më investime dhe i penalizuari është konsumatori, do të përballet me shfrytëizmin e tregut.”

Më 23 Korrik, Telekom Albania zëvendëson emrin e Albanian Mobile Communications (AMC), kompanisë më të hershme telefonike në Shqipëri. Në muajin mars, Telekom Albania fitoi tenderin për marrjen e liçensës për të ofruar shërbimin 4G, i cili karakterizohet nga shpejtësitë maksimale në transferimin e të dhënave. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë