Taksa

Lapsus i qëllimshëm?!-Zero tatim për fitimet e kumarxhinjëve

Nga Gazeta ‘SI’ - Një ‘lapsus’ në draftet e ministrisë së Financave për tatimin e parave që fitohen nga lojërat e fatit, ka krijuar paqartësi.

Kur qeveria nxori për konsultim draftin e lojërave të fatit në prill të këtij viti, parashikohej që fitimet nga loja do të tatoheshin me 15%, si të ardhurat e zakonshme. Pesë muaj më vonë, në projektligjin e mbërritur në komisionet parlamentare, kjo ide ishte zhdukur. Kur zv.ministrja e Financave, Vasilika Vjero prezantoi dokumentin e ri në fillim të muajit shtator, theksoi se lojtarët do të taksohen 0%.

Por, në ndryshimet e sapomiratuara nga qeveria në ligjin ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ ashtu siç ishte propozuar, parashikohet tatimi i të ardhurave nga lojërat e fatit me 15%.

“Të ardhurat nga dhuratat, trashëgimitë dhe lojërat e fatit të përfituara në Republikën e Shqipërisë nga rezident dhe jorezidentët, tatohen me normën 15% pa zbritur ndonjë kosto të tyre” shkruhet në ligjin e publikuar në Fletoren Zyrtare.

Duke qenë se ky i fundit është ligj i miratuar dhe në fuqi, të ardhurat nga lojërat e fatit janë të ardhura të tatueshme, njësoj si ato nga puna, investimi etj.

Në asnjërin nga dokumentet nuk ka përjashtime apo shtesa. 

Ndërkohë pak muaj më parë, ish-ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj pati shpjeguar se tatimi për fituesit nga bastet, kazinotë etj do të ‘rregullohen në ligjin për të ardhurat personale’ dhe jo në ligjin e lojërave.

Zyrtarisht nuk ka asnjë shpjegim se cili nga të dy ligjet do të jetë i zbatueshëm, apo se cili do të mund të pësojë ndryshime të tjera.

Projektligji për ‘Lojërat e Fatit’ do të rikthejë përsëri bastet sportive, por vetëm në versionin online. Vetë kryeministri Edi Rama dhe ministria e Financave pranuan se mbyllja me ligj në 2018-n shtoi informalitetin në këtë fushë duke qarkulluar miliona euro në të zezë, në dëm të buxhetit të shtetit. Kjo ishte arsyeja kryesore që bindi qeverinë t’i rikthente ato. Në draft parashikohen të ardhura vjetore në buxhet 6.5 mld lekë nga rikthimi i këtij aktiviteti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë