Motosport

Lapo Elkan sulmon Ferrarin dhe vëllanë president: Kështu s’do të fitojnë kurrë!

Gazeta Si – Një sulm i bujshëm ndaj Ferrarit vjen nga Lapo Elkan në rrjetet sociale, ku ai nuk kursen askënd, as vëllanë Xhon. Sipas tij, duhet seriozitet për një Ferrari fitues.

Fillimi i komplikuar i Botërorit 2023 nga Ferrari ka pezmatuar miliona tifozë të tij në gjithë botën, aq më tepër pas një 2022-shi ku ishin dhënë sinjale shprese. Një nga tifozët më të zjarrtë të Ferrarit, Lapo Elkan, ka ulëritur për situatën aktuale nëpërmjet profilit të tij në Tuiter.

Vëllai më i vogël i presidentit Xhon Elkan e ka filluar me skuderinë italiane: "Ferrari ka nevojë për seriozitet dhe një skuadër fituese, në bokse dhe jashtë. Është koha për t’u zgjuar".

Kjo shuplakë, me shprehjen "në bokse dhe jashtë", nënkupton se projekti SF-23 është zhgënjyes dhe se nuk janë zgjidhur problemet e së kaluarës, që e pengojnë Ferrarin të kthehet në majat e Formula 1.

Më pas Lapo shkruan: "Mjaft me politikë dhe lojëra, kështu nuk do të fitohet kurrë!” Me shumë mundësi, me termin "lojëra" Lapo nënkupton zgjedhjet në postet drejtuese, që nuk i kanë bindur tifozët e mësuar me fitore në të kaluarën, me pilotët dhe konstruktorët.

Sikur të mos mjaftonte kjo kritikë e hapur e njërit prej pjesëtarëve të familjes pronare të Ferrarit, Lapo shton edhe pak ‘piper’ në një koment poshtë postimit të tij. Një ndjekës i shkruan: "Lapo, e vërteta është se në sytë e ne tifozëve presidenca nuk është e pranishme". Dhe Elkan përgjigjet shkurt: “E di, për fat të keq". Presidenti i Ferrarit është vëllai i tij, Xhon Elkan, numri 1 i zgjedhur nga vetë Avokati.

Komenti i Lapo Elkan per presidencen. Gazeta Si, 16 prill 2023

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë