Biznes

Lamtumirë udhëtime ‘low cost’, fluturimi sërish drejt një përvoje elitare

Kompanitë ajrore po e ridizajnojnë udhëtimin në segmentin e ultra-luksit

Gazeta Si – Pas dekadash të hovit të fluturimeve me kosto të ulët, që i bënë udhëtimet të mundshme për të gjithë, bota e udhëtimeve ajrore tani po ndryshon kurs: kompanitë ajrore po investojnë sërish te cilësia dhe shërbimet “premium”, duke tërhequr kryesisht klientë më të pasur në kurriz të shtresës së ulët-të mesme.

Ky ndryshim i prirjeve – që kishte nisur tashmë vrullshëm në Shtetet e Bashkuara – u nxit kryesisht nga pandemia e COVID-19, kur kriza ekonomike dhe kufizimet e udhëtimit i shtynë kompanitë të investonin më shumë te klientët e kategorisë së lartë.

Në fakt, në atë kohë – pavarësisht rënies së udhëtimeve të biznesit dhe përhapjes së gjerë të punës në distancë që zëvendësoi takimet ballë për ballë – analistët e aviacionit druheshin se e vetmja mënyrë për të tërhequr pasagjerë mund të ishte rikthimi te tarifat e ulëta.

Megjithatë, realiteti rezultoi krejt ndryshe, pasi shumë udhëtarë, veçanërisht ata që udhëtonin për kënaqësi, treguan gatishmëri për të paguar për vende të kategorisë “premium” dhe shërbime shtesë.

Për Henry Harteveldt, president i firmës konsulente për udhëtime, “Atmosphere Research Group”, kjo shërbeu si provë se kërkesa për fluturime nuk kufizohej aspak vetëm te udhëtimet e biznesit.

Kjo ka nxitur prirjen drejt “premiumizimit” – përqendrimit te shërbimet e nivelit të lartë – e cila tashmë është e pamohueshme. Kjo po ndodh gjithashtu sepse, sipas një analize të firmës konsulente “McKinsey & Company”, në linjat më të ngarkuara transatlantike, shitjet e biletave të klasit të biznesit mund të gjenerojnë pothuajse po aq të ardhura sa shitjet e klasit ekonomik, edhe pse ky i fundit përbën një pjesë shumë më të madhe të vendeve në kabinë.

Përballë këtij skenari, disa kompani ajrore amerikane kanë vendosur t’i rikonfigurojnë avionët e tyre për të rritur numrin e vendeve të klasit “premium”, duke projektuar flota të reja me kabina më të bollshme dhe duke investuar miliarda për të ofruar shërbime të nivelit të lartë.

Disa kompani ajrore kanë shprehur synimin për t’i zgjeruar kabinat e tyre “premium” me 50% deri në vitin 2030.

“Udhëtarët mund të jenë – dhe do të ishin – të gatshëm të paguanin për një komoditet dukshëm më të madh, shërbim shumë më superior dhe lehtësira të përmirësuara, me kusht që çmimi të ishte i përshtatshëm”, tha Harteveldt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë