Njerez

Lamtumirë Petraq Kolevica, mjeshtri i arkitekturës dhe fjalës

Nga Gazeta Si - Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare, mjeshtri i arkitekturës, një nga emrat më të mirë të projektimit në vend, Petraq Kolevica.

Autor i një sërë projektesh me rëndësi si Blloku i banesave pas Bankës Kombëtare, Shtëpia e Oficerëve, bashkautor i ekspozitës “Shqipëria sot” si dhe në Muzeun Historik, Kolevica la gjurmë të vyera në arkitekturë edhe në vendlindjen e tij, Korçën.

Shtëpia e Oficerëve

Në hyrje të qytetit projektoi ndërtesën e parë 7-katëshe në vend, si dhe bibliotekën “Thimi Mitko”.

Biblioteka "Thimi Mitko" në Korçë

I diskutuar për frymën moderne në projektet e tij, edhe mbi Kolevicën rënduan masat e rrepta të sistemit komunist që i ndaluan të ushtronte zanatin për vite me radhë, ngjarje të cilat i rrëfen në librin e tij “Arkitektura dhe diktatura”.

Kritika e cilëson Kolevicën edhe si projektues të fjalës.

I apasionuar pas artit, në formimin e Kolevicës ndikuan mjeshtrit e pikturës si Vangjush Mio apo Vangjush Tushi.

Gjithashtu, ai njihet edhe për kontributin e tij në letërsi, përmes përkthimeve, poezisë por edhe romaneve...

Që në vitin ’60 botoi nga rusishtja vëllimin “Demoni” të Lermontovit,  ndërsa në ’86-ën i solli lexuesit vendës “Poezi gjermane dhe austriake”.

Me “Këngë nga koha e keqe” do të niste pas regjimit botimin e vëllimeve të tij poetike, duke krijuar një lidhje të pandarë me vargjet, të cilat një dekadë më parë do t’i përmblidhte në “Të korrat e vona”.

Kolevica, njihet gjithashtu për miqësinë e tij me Mitrush Kutelin dhe Lasgush Poradecin, të cilëve do t’u dedikonte nga një libër…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë