Njerez

Lamtumirë Arben Çeli, fotoreporteri që fiksoi dhimbjet dhe transformimet e Shqipërisë në tranzicion

Kur i propozuam Benit dy vjet më parë t’i bashkohej projektit tonë mediatik me “Gazeta Si”, si fotoreporter, nuk e fshehu ngazëllimin dhe pranoi pa u menduar dy herë. Ideja se një gazetë që kishte përqafuar teknologjinë e re të botës online  e kishte si vizion të rikthente fotoreporterin si  pjesë të rëndësishme të strukturës, duke i ndërmendur ato kohërat e vjetra të shtypit, ku lajmin e bënte edhe një foto e vetme, e shkrepur në momentin e duhur,  në vendin e duhur.

Aty ku Arben Çeli nuk përtonte të ishte. Fjalëpak dhe me intuitë për të  kuptuar se çfarë kërkonte një kryeredaktor me përvojë apo qoftë edhe një gazetar i ri, që herë edhe haste vështirësi të shprehej, Beni ishte në frontin e parë saherë kishte ngjarje dhe  fokusin e tij shpesh kapte hollësi që sillnin me vete histori e narrativa, që syri i lodhur nga përditshmëria nuk i kap.

Kështu nisi bashkëpunimi ynë dhe Beni e pasuroi lajmin e ditës, arkivin dhe vetë Gazetën Si me fotografitë e tij, në të cilën i dallohej dora e pangatërrueshme.

Një fotoreporteri nuk mund t’i heqësh adrenalinën duke e ndalur të shkojë tek lajmi, sepse për të ngjarja e fundit është vetë jeta. Kështu gjente kënde nga dritaret e shtëpisë dhe fotografonte gjatë muajve të karantinës, duke na sjellë në redaksi se ç’ndodhte jashtë mureve tona. E gjente frëngjinë e tij për të dokumentuar përmes fotografish ç’ka ndodhte së fundi, edhe kur bota dukej se ishte ndalur. Nuk na munguan fotografitë e gjalla të tij, as në kohën e pandemisë.

Megjithëse me një karrierë të gjatë, ku kishte dhënë kontributin dhe shërbimet e tij fotografike në një sërë organesh shtypi vendas e agjenci lajmesh, ishte trajnuar në agjencinë prestigjioze Reuters dhe bashkëpunonte me ta, duke pasqyruar ngjarjet nga Shqipëria. Lajmi i ikjes së tij të beftë, parakohë, në moshën 52- vjeçare nga një sulm në zemër i hidhëroi të gjithë. Miqtë, kolegët, gazetarët që kishin punuar dhe punonin me të.

Foto e Arben Çelit gjatë karantinës, në ballkon

“Mik dhe koleg i dashur me të gjithë, ndër më profesionistët fotoreporterë, me një karrierë të gjatë e të qëndrueshme, Beni ndau për dhjetëra vite pune me gazetarë shqiptarë e të huaj. Ai është ndër të rrallët fotoreporterë që fiksoi me objektivin e vet ngjarje e personazhe të kohëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Mal të Zi duke shërbyer për agjencinë ndërkombëtare të lajmeve Reuters”, shkruan Zyra e shtypit të Unioni të  Gazetarëve, të hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta të Çelit.

“’Në komunitetin e gazetarëve Arben Çeli njihej si një njeri pozitiv, me qetësi të lëvdueshme dhe humanizëm të lartë. Ai ndau përvoja dhe momente të shumta profesionale të cilat janë një shembull i çmuar virtytesh dhe profesionalizmi. Ikja e papritur nga jeta e Benit të dashur, është humbje e pazëvendësueshme për familjen, redaksinë dhe bashkëpunëtorët e tij dhe për gjithë fororeporterët dhe gazetarët”, përfundon mesazhi  i Unionit të Gazetarëve.

Gazetarja Anila Basha, shkruante në  profilin e saj të Facebook-ut, duke e konsideruar si një mik nga të rrallët  “...që zor e gjen...një fotograf i përmasave përtej Shqipërisë. Çfarë fati për këdo që ka punuar me Benin dhe e ka njohur nga afër...sa trishtim ikja e parakohshme. Lamtumirë o Ben!”, shkruante Basha.

"Vjeshtë e trishtë" ishte diçitura për këtë foto nga Arben Çeli vitin e kaluar. E trishtë dhe kjo vjeshtë për ikjene tij

Edhe artisti Saimir Strati shkruante i hidhëruar për ngjarjen “Lamtumirë miku im i mirë, Arben Çeli”.

“Ben Çeli, vëlla i shtrenjtë.”, shkruante Enkel Demi.

Edhe gazetarja Milena Selimi, përmes një mesazhi të ndjerë shprehte keqardhjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të fotografit. “Na thyeve zemrën Arben Çeli Ku do ta gjejmë syrin e mendjen tënde?!Fotoreporter dhe fotograf me cilësi të rralla. E ngritëm në këmbë Gjirokastrën e Festivalin me Ty dhe Adnan Beci Becin. Nga çdo majë e kullë e festivalit në 2015. Po aq i rrallë edhe për Shqipërinë në çdo skaj për Reuters, Wall Street Journal, apo çdo media shqiptare. Kudo për lajmin e fundit, për protestën dhe sportin, për eksodin e Kosovës dhe rivierën shqiptare.  Për Shqiptarët dhe të bukurën e Shqipërisë. Shok, mik, baba, gjysh, njeri i veçantë.  Nuk pati shkrepje në çastin e fundit!  Ike aq shpejt sa nuk mundi askush të të gjendet afër! Paqe për ty Ben! IR.I.P”, shkruante Selimi.

Foto e tërmetit, Durrës, nga Arben Çeli, nëntor 2019.

Edhe analisti Dritan Kaba, shprehej në rrjetet sociale për humbjen e Çelit, kështu “Sa me trishtove Beni! Qofsh i Xhenetit miku im! Do i lutem Zotit, për shpirtin tënd,  edhe për familjen tënde. Sa kujtime na bëjnë bashke, që nga fëmijëria e hershme. Te dy e donim futbollin dhe fotografinë! Do na mungosh shume! Ishe një shok i jashtëzakonshëm gjithë mirësi, çiltërsi dhe profesionist i rrallë”.

I gjithë stafi i Gazeta Si, me hidhërimin e humbjes së një miku e bashkëpunëtori i shpreh ngushëllimet familjes Çeli për humbjen e madhe e të parakohshme të njeriut të dashur. Për familjen humbja është e pazëvendësueshme, por edhe kolegëve,  dhe organeve mediatike, fotografitë e Arben Çelit do t’i mungojnë.

Na fotografo nga lart Ben, në një prej atyre këndeve që vetëm mendja dhe syri yt mund të rrokte, ashtu siç bëre edhe në çastin e fundit teksa po punoje për reportazhin e radhës paraditen e së enjtes!

Ne nuk i kemi fotot e fundit, por kemi gjithë arkivën e Ben Çelit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë