Futboll

Lampard thërret Armando Brojën, hap i madh për sulmuesin kuqezi

Sapo firmosi kontratën profesionale me klubin e Çelsit, sulmuesi Armando Broja i është bashkuar ekipit të parë në stërvitje. Trajneri Frenk Lampard e ka thirrur sulmuesin me origjinë nga Malësia e Madhe në stërvitje me të tijtë, duke parë formën e mirë që ai po kalon me Çelsin U-23. Futbollisti 18-vjeçar po spikat prej kohësh si golashënues me ekipet e moshave të Çelsit dhe firma me ekipin e parë ishte vetëm çështje kohe.

Shtypi sportiv në Angli shpesh ka evidentuar vlerat e futbollistit shqiptar dhe tashmë Broja po përjeton një moment të artë, duke u stërvitur me yjet e sulmit të Çelsit, si francezi Zhiru dhe braziliani Uilliam. Ndoshta Broja nuk do të grumbullohet nga trajneri Lampard për ndeshjen e radhës në kampionat me Totenhemin, por mjafton që sulmuesi shtatlartë stërvitet me ekipin e parë. Në këtë moment, klubi londinez po i mbështet shumë talentet e akademisë së tij dhe nuk është e largët dita që Broja të debutojë në Premier League me fanellën e një prej skuadrave më të mira të këtij kampionati.

Armando Broja, sulmuesi shqiptar i Çelsit. Gazeta Si, 20 shkurt 2020

Broja është një lojtar mjaft i fuqishëm në luftën në ajër, falë parametrave të tij fizikë, por aftësitë e mora në lojën me topin e bëjnë atë një sulmues modern. Një golashënues i lindur. Jo më kot drejtuesit e Çelsit i afruan kontratë afatgjatë. 18-vjeçari ka luajtur me Shqipërinë U-19 dhe Shqipërinë U-21, duke shënuar 5 gola më të parën dhe 3 me të dytën. Të dhënat e tij janë shumë të mira dhe shumë shpejt pritet që Broja të jetë lideri i sulmit të Kombëtares. Ai ka lindur në Angli dhe ka nënshtetësi angleze dhe shqiptare.

Trajneri Edi Reja e njeh mirë tashmë këtë lojtar dhe gjasat janë të mëdha që ta grumbullojë për dy miqësoret e muajit mars ndaj San Marinos dhe Sllovenisë. Broja në sulm dhe Kumbulla në mbrojtja janë dy kuqezinjtë më të talentuar të momentit. I pari është pjesë e Çelsit, ndërsa i dyti në verë do të lërë Veronën për një klub të madh europian.

https://youtu.be/jvuT9a5H2tE
Disa gola dhe asiste të sulmuesit Broja me Çelsin. Gazeta Si, 20 shkurt 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë