Motosport

Lajme të mira për Shumaker, Tod: E pamë garën e Gjermanisë bashkë

Majkëll Shumaker vijon betejën e tij shëndetësore për tu rikthyer edhe një herë në syrin e të gjithë fansave të tij. Grancia se ai është duke u përmirësuar këtë herë ka ardhur nga një mik i ngushtë i gjermanit që edhe në këto ditë të vështira po i qëndron shumë afër, si Zhan Tod.

"Unë jam gjithmonë shumë i kujdesshëm kur bëj deklarata për të, por është gjithçka e vërtetë: Unë pashë e Çmimin e Madh të Gjermanisë bashkë me të në Zvicër. Majkëll është në duart më të mira të mundshme, ai nuk heq dorë dhe po vazhdon të luftojë për jetën e tij."- ka thënë Tod.

Fjalët e presidentit të FIA, Zhan Tod dhënë për Radio Montekarlo japin një detaje më shumë për shëndetin e pilotit gjerman, pas fjalëve të përhapura disa muaj më parë, që thoshin se ai mund të ngrihet në këmbë.

Tod viziton shpesh gjermanin dhe marrëdhëniet midis të dyve tejkalojnë atë të punës gjatë viteve te Ferrari ku arritën të fitonin pesë tituj kampionë së bashku. "Miqësia jonë nuk është e njëjtë si më parë, nuk ka të njëjtin komunikim, por Michael vazhdon të luftojë dhe familja e tij po lufton me të" përfundoi francezi intervistën e tij të shkurtër.

Për gjendjen e Shumaker vijon të ketë shumë dilema dhe pikëpyetje, pasi askush nuk di saktë se si është gjendja e tij. Që pasi doli nga gjendja koma, Shumaker është transferuar në shtëpinë e tij në Zvicër, ku një pjesë e mirë e kësaj banese është kthyer në një spital të vogël dhe shërben gjithashtu për akomodimin e stafit mjekësor dhe rehabilitues të gjermanit.

Mediet gjermane dhe ato zvicerane shkruajnë se Shumaker për momentin nuk rrezikon jetën, por ka probleme në të folur dhe të përshtaturit me njerëzit që e rrethojnë për shkak të dëmtimeve të mëdha që ka marrë në kokë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë