Futboll

Lajm i keq për Liverpulin, Gjermania kërkon Jurgen Klop për stolin

Drejtuesit e Liverpulit, siç bën me dije “Daily Mirror”, kërkojnë që Jurgen Klop të shndërrohet në një Aleks Fergusonin të “të kuqve”, por rruga në fakt duket se nuk do të jetë aspak e lehtë. Federata Gjermane e Futbollit, sipas tabloidit britanik, prej kohësh ka nisur kontaktet me Jurgen Klop, pasi synon ta emërojë trajner të ekipit kombëtar, sapo të mbyllet bashkëpunimi me Joakim Lëv.

Klop shihet si njeriu i duhur për Gjermaninë, që kërkon të rikthehet në nivelin më të lartë, pas dështimit në Botërorin e Rusisë. Trajneri i Liverpulit ka treguar se është i aftë të udhëheqë skuadra të mëdha drejt suksesit. Ai ia ka dalë ta kthejë Liverpulin në majat e futbollit anglez dhe atij europian. Verën e kaluar e shpalli këtë ekip kampion të Europës, ndërsa këtë sezon titulli kampion në Premier League pas një periudhe të gjatë duket i sigurt, nëse kampionati nuk do të anulohet.

Lojtarët e Gjermanisë festojnë një gol. Gazeta Si, 2 prill 2020

Për Jurgen Klop, nëse arrihet akordi me Federatën Gjermane, do të ishte hera e parë që do të drejtonte një ekip përfaqësues. Para Liverpulit, ai ka drejtuar Maincin dhe Borusian e Dortmundit në Bundesligë. Puna e bërë te Liverpuli duket se i ka bindur drejtuesit e futbollit gjerman t’ia besojnë stolin një trajneri si Jurgen Klop.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë