Futboll

Lajm i hidhur për futbollin shqiptar, ndahet nga jeta vlonjati Anesti Vito

Gazeta Si – Opinioni futbolldashës në Shqipëri ka marrë mëngjesin e sotëm një lajm të hidhur. Është ndarë nga jetë në moshën 52-vjeçare ish-sulmuesi i Flamurtarit dhe Tiranës, Anesti Vito, për shkak të një ataku kardiak.

Reagimi i parë erdhi nga klubi vlonjat, që në faqen e tij shkruan këtë mesazh ngushëllues: “Në emër të familjes të madhe kuqezi, Flamurtari Football Club i shpreh ngushëllimet meë të sinqerta familjes Vito”. Në postim edhe një foto e Anesti Vitos me fanellën e Flamurtarit.

Vito me Flamurtarin dhe Tiranen. Gazeta Si, 25 korrik 2023

Vito është shpallur kampion i Shqipërisë me fanellat e Flamurtarit dhe Tiranës. Ai ka luajtur po ashtu edhe për Bylisin, Tomorin dhe Albetroplin, duke qenë një nga sulmuesit më të mirë të plejadës së tij.

Nuk ka vonuar ngushëllimi i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili në faqen e tij shkruan: Mësova pak minuta më parë lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të ish-sulmuesit kampion të Flamurtarit dhe Tiranës, Anesti Vito. Nesti shkëlqeu te Flamurtari i madh, duke u shpallur kampion në sezonin 90/91 dhe gjithashtu kontribuoi shumë në futbollin shqiptar edhe me fanellat e Albpetrolit, Tomorrit, Bylisit e Tiranës, ku fitoi përsëri titullin kampion në sezonin 1999-2000.

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe komunitetit të futbollit shqiptar, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Vito, FC Flamurtarit dhe të gjithë miqve të shumtë të Anestit. Lamtumirë Anesti Vito!"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë