Kosova

Lajçak pas takimit me Kurtin: Kemi pritur mirëkuptim më të madh për propozimim e BE-së

Ka përfunduar pas dy orësh takimi i kryeministrit Albin Kurti me pesë emisarët specialë për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit me Kurtin në një deklaratë për media tha se takimi ishte i gjatë dhe jo i lehtë.

“Ne jemi këtu me një delegacion të fuqishëm që është sinjal se ne jemi të zotuar për një normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Takimi zgjati më shumë se dy orë, i gjatë, i hapur, i sinqertë, por jo i lehtë”, tha Lajçaku para mediave.

Ai deklaroi se u diskutua për planin franko-gjerman dhe tha se delegacioni ka pritur mirëkuptim më të madh rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Është shumë herët që të bëjmë një deklaratë dramatike sepse siç e dini jemi në mes të misionit dhe do të vazhdojmë për në Beograd. Ajo që dëshiroj të them është që kemi pritur mirëkuptim që do të shfrytëzohet potenciali i këtij propozimi dhe ne do të vazhdojmë që të punojmë për këtë”, tha ai.

Ai tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuar për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, këtë sipas tij e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takim.

Lajçak, është i shoqëruar nga emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talo, këshilltar i kryeministres së Italisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë