Dosje

Laert Haxhiu kundërshton ekstradimin, do të qëndrojë në burgun e Koridhalosit

Gazeta Si - Laert Haxhiu, i dënuar nga drejtësia shqiptare në mungesë për masakrën e Lushnjës, do të qëndrojë në burgun e Koridhalosit në Greqi deri në shqyrtimin e dosjes së dokumentacionit për ekstradimin e tij.

Kështu ka vendosur këtë të premte Gjykata e Janinës në seancën për masën e sigurisë për 31-vjeçarin, i cili ka kundërshtuar ekstradimin.

Avokatët e Haxhiut, deklaruan se klienti i tyre nuk pranon asnjë akuzë për të cilat është dënuar në Shqipëri me 18 vite burg për masakrën e Lushnjës.

Sipas avokatëve, Laert Haxhiu nuk dëshiron të ekstradohet në Shqipëri dhe kërkon të qëndrojë në Greqi. 

Përmes avokatëve të tij, Shqiptarë dhe Grekë, Haxhiu ka pretenduar përpara gjykatës së Janinës se transferimi i tij në Shqipëri, do i rrezikonte jetën, për shkak jo vetëm të pëndjekjes në mënyrë të paligjshme nga shteti shqiptar, por edhe për shkak të hasmërisë që familja e tij, ka me anëtarët e bandës së Aldo Bares.

Dhe për të bindur gjykatën se ai kishte të drejtë në pretendimet që ngriti, avokatët e Haxhiut vunë në dispozicion një vendim të autoriteteve Gjermane, të cilat kanë miratuar kërkesën për statusin e azilantit politik nënës së Laertit, Florije Haxhiut dhe motrës Klea Haxhiu.

Çështja do të shkojë në Bordin e Apelit kompetent për të vendosur pro ose kundër ekstradimit dhe më pas në Gjykatën e Lartë.

Laert Haxhiu, i shpallur në kërkim si organizator për vrasjen e dyfishtë në vitin 2017 të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, u arrestua të hënën pas një ndjekjeje si nëpër filma nga oficerët e Janinës në shtetin fqinj.

Ndërsa për 35-vjeçarin Juxhin Bajrami, Gjykata e Janinës vendosi ta lirojë pa asnjë masë sigurimi edhe pse akuzohet për “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, “mosbindje ndaj urdhrit të policisë”, “falsifikim dokumentesh” dhe “dëshmi te rreme”.

Gjykata e Janinës u blindua me forca të shtuara sigurie gjatë seancës gjyqësore për masë sigurie ndaj dy shqiptarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë