Media Galeri

Lady Gaga do të këndojë himnin në inaugurimin e Bidenit

Lady Gaga dhe Jennifer Lopez do të këndojnë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Lady Gaga ka bërë edhe fushatë me Bidenin, duke u paraqitur me të në prag të zgjedhjeve të nëntorit të kaluar.

Ajo do të këndojë himnin kombëtar në ceremoninë e 20 janarit.

Lopez, e cila po ashtu ka mbështetur Bidenin vitin e kaluar, do të japë një tjetër performancë muzikore.

Para katër vjetësh, në ceremoninë e inaugurimit të presidentit tashmë në largim, Donald Trump, himnin kombëtar e ka kënduar Jackie Evancho.

Uashingtoni është në gjendje të jashtëzakonshme, prej ditës që mbështetësit e dhunshëm të Trumpit kanë sulmuar Kongresin e Shteteve të Bashkuara më 6 janar.

Mbi 10,000 trupa të Gardës Kombëtare do të jenë në qytet në ditën e inaugurimit të Bidenit, ndërsa 5,000 të tjera do të jenë në gjendje gatishmërie.

Ekipi i Bidenit ka thënë se ceremonia do të zhvillohet duke respektuar distancën sociale, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Trump nuk do të marrë pjesë në ceremoni, pasi ai i ka kontestuar rezultatet e zgjedhjeve.

Ai do të bëhet presidenti i parë që nuk merr pjesë në inaugurim qysh në vitin 1860. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë