Futboll

Lacio shtyn festën e Napolit. Fitore tenistike e Interit, Milani bën ‘vetëvrasje’

Gazeta Si – Lacio ka mundur 2-0 Sasuolon në javën e 33-të të Serisë A, duke shtyrë kështu festën e Napolit për titullin kampion. Felipe Anderson që në fillim të ndeshjes dhe Basiç në shtesë shënuan golat e fitores për skuadrën e Sarrit, që arriti fitoren numër 150 në Serinë A. Sasuolo u ndal nga traversa.

Tani Napolit i duhet të paktën barazimi në Udine për t’u certifikuar kampion i Italisë për herë të tretë në histori.

Lacio feston fitoren ndaj Sasuolos. Gazeta Si, 3 maj 2023

Zona e Championsit është komplikuar më shumë për Milanin dhe Romën, që kanë barazuar 1-1 përkatësisht ndaj Kremonezes dhe Moncës. Një vetëvrasje barazimi i Milanit në ‘San Siro’, madje skuadra e Piolit në shtesë i shpëtoi humbjes me një gol të Mesias.

Milani dhe Roma janë barazuar me pikë edhe nga Atalanta e Berat Gjimshitit, që mban vendin e 5-të për momentin. Mbrojtësi kuqezi ishte ndër më të mirët për skuadrën e tij në fitoren 3-2 ndaj Specias.

Juventusi mundi sot 2-1 Leçen, ndërsa Interi fitoi me goleadë në fushën e Veronës. Plot 6 gola shënoi skuadra e Inzagit, duke u shkëputur kështu në vend të katërt të renditjes, me 60 pikë. Me fitoren e sotme zikaltrit janë më të qetë për pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë