Festë e jashtëzakonshme në “Formelo”, qendrën stërvitore të Lacios. Ishte festa e Superkupës së Italisë që skuadra e drejtorit sportive Igli Tare dhe portiere kuqezi Tomas Strakosha fitoi disa ditë më parë ndaj Juventusit. Pritje madhështore për Strakoshën me shokë nga rreth 12 mijë tifozë, të cilët kishin pushtuar qendrën stërvitore për të pritur “heronjtë” e tyre. Ishte një stërvitje e hapur për publikun dhe tifozët e Lacios, ende në delir për fitoret e dyfishta ndaj Juventusit, kampionat dhe Superkupë, nuk mund ta humbnin këtë rast.
Trajneri Simone Inzagi dhe lojtarët kanë zbritur në fushë bashkë me trofeun e fituar në Riad më 22 dhjetor, natyrisht, të shoqëruar nga shqiponja Olimpia, që është edhe simboli i ekipit. Shaje, flamuj dhe kore për të gjithë lojtarët nga tifozët, të cilët kishin më të preferuar trajnerin Inzagi, sulmuesin Imobile dhe mesfushorin Milinkoviç-Saviç.

Një atmosferë e vërtetë feste, por jo ngaqë jemi në prag të Vitit të Ri. Entuziazmi i tifozëve bardhekaltër është meritë e ekipit, që po bën një sezon të jashtëzakonshëm. Përpara është ndeshja me Breshian më 5 janar dhe nga nesër nis puna serioze në fushë për këtë sfidë. Në dispozicion të trajnerit Inzagi nuk do të jenë Luis Alberto dhe Leiva, të dy të skualifikuar dhe në vend të tyre do të luajnë Parolo dhe Kataldi. Tomas Strakosha, si gjithmonë, do të jetë mes shtyllave.
“Ky entuziazëm është i jashtëzakonshëm. Kemi dalë për stërvitje dhe kemi ndjerë shumë emocione. Shpresojmë t’u dhurojmë të tjerë trofe këtyre tifozëve të mrekullueshëm, sepse e meritojnë vërtet. Por tani vjen pjesa më e vështirë, sepse të gjithë kundërshtarët duan të mundin një ekip big si Lacio. Kemi bërë një hap të madh përpara sa i takon nivelit të lojës dhe pjekurisë sportive”, – ka thënë rumuni Stefan Radu për “Lazio Style Channel”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.