Fitorja 1-0 ndaj Napolit e ka futur Lacion në histori, pasi është hera e parë që kjo skuadër bën 10 fitore radhazi në kampionat. Një ecuri më e mirë se ajo e disa viteve më parë, kur Lacio shpallej kampion i Italisë, duke pasur në përbërje yje si Nedved, Veron, Nesta, Stankoviç e Mançini.
Ai sukses minimal në “Olimpico”, i vulosur nga sulmuesi Çiro Imobile, ose më saktë nga një gabim i rëndë i portierit Ospina, ishte dhurata më e bukur për tifozët për rastin e 120-vjetorit të skuadrës. Protagonist i kësaj ecurie historike të Lacios është pa dyshim edhe portieri kuqezi, Tomas Strakosha, i cili bëri të paktën tri pritje shpëtimtare. Shtypi sportiv italian ka vlerësuar pikërisht Strakoshën dhe sulmuesin Imobile si dy lojtarët më të mirë të Lacios, por edhe të ndeshjes, bashkë me Insinjen e Napolit.
“Strakosha 7 – Vendimtar tri herë ndaj gjuajtjeve të Insinjes. Në rastin e parë reagon mirë, duke e nxjerrë topin në korne, më pas i përgjigjet një të djathte të fortë të kapitenit të Napolit dhe në fund mbron fitoren me një refleks të jashtëzakonshëm ndaj një gjuajtje nga brenda zonës”. Ky është vlerësimi për portierin e Lacios dhe Kombëtares shqiptare, Tomas Strakosha, i cili po kalon një moment shumë të mirë. Lacio mban vendin e tretë me 42 pikë dhe është në lojë edhe për titullin kampion, ndërsa Championsi është një objkektiv krejtësisht i arritshëm.
Strakosha ka triumfuar ndaj shokut të skuadrës në Kombëtare, Elseid Hysaj, i përzgjedhur titullar edhe këtë herë nga trajneri Gatuzo. Shkodrani bëri një paraqitje mesatare, duke u vlerësuar me notën 6 nga specialistët italianë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.