Lacio fantastike edhe në sfidën ndaj Juventusit, ekipit kampion në fuqi. Skuadra e Tomas Strakoshës arrin fitoren e shtatë radhazi në kampionat, duke iu faruar me 5 pikë Interit të vendit të parë dhe 3 pikë Juventusit. Një mbrëmje e madhe në “Olimpico”, ku Lacio u gjend në vështirësi, pas golit të shënuar nga Ronaldo, por reagoi në mënyrën më të mirë.
Në fundin e pjesës së parë Lacio barazoi me mbrojtësin Luiz Felipe, ndërsa në pjesën e dytë skuadra e trajnerit Inzagi ishte e papërmbajtshme. Kuadrado e la skuadrën e tij me 10 vetë, pasi u ndëshkua me karton të kuq dhe vetëm pas pak minutash Milinkoviç-Saviç e kaloi Lacion në avantazh. Imobile humbi edhe një penallti, ndërsa në fund shënoi golin e tretë sulmuesi Kaisedo. Një fitore e madhe e Lacios, që ka një ecuri të jashtëzakonshme dhe është në garë për titullin, edhe pse lojtarët dhe drejtuesit e saj nuk duan ta pranojnë.
Tomas Strakosha ka bërë një ndeshje mjaft të mirë, duke qenë në lartësinë e detyrës. Ai bëri vetëm një gabim, duke i dhënë një top Dibalës, por reagoi po vetë për të zgjidhur situatën. Shtypi italian e ka vlerësuar me notën 6.5. Lacio e tij mban vendin e tretë në Serinë A.
Vendimtar ka qenë dje një tjetër kuqezi, Berat Gjimshiti, i cili ka shënuar në kohën shtesë golin e fitores për Atalantën në ndeshjen me Veronën, që përfundoi 3-2. Mbrojtësi realizoi me një gjuajtje të saktë brenda zonës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.