Futboll

Lacio, akuza të forta: Juve dhe Inter kanë interes të anulohet sezoni

Emergjenca e Covid-19 është në kulmin e saj, ndërsa në futbollin italian diskutohet për mundësinë e mbylljes ose jo të kampionatit. Presidentët e Serisë A kanë qëndrime të ndryshme dhe treshja kryesuese e renditjes është e ndarë në dy fronte: Lacio nga njëra anë dhe Juventusi dhe Interi nga ana tjetër.

Lacio kërkon të kthehet në fushë, Interi dhe Juventusi jo. "Juve dhe Inter kanë interes të anulohet sezoni, - thotë Arturo Diakonale, zëdhënësi i Lacios. – Dhe pastaj egoisti është Lotito… Juventusi ka lejuar disa futbollistë të largohen nga Torino dhe të kthehen në vendet e tyre për të qenë pranë familjarëve të sëmurë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Interi. Asnjë nga drejtuesit e këtyre dy klubeve nuk ka parashikuar që me rikthimin e sportistëve, këta të fundit do të jenë të detyruar të qëndrojnë të paktën 2 javë në karantinë. Kur të kthehen ata mund të gjejnë një situatë kompromentuese, pasi mund të gjejnë shokë skuadre të infektuar.

Pandemia ka prekur edhe lojtarë të skuadrave të tjera, që i vënë në vështirësi ato në rast se rinis stërvitja për kampionatin. Interesi i disa skuadrave është që të anulohet kampionati, sikur 3/4-a e tij të mos ishte luajtur dhe të mos ketë titull dhe zbritje skuadrash një kategori më poshtë. Një interes i tillë mund të jetë legjitim, nëse pandemia e Koronavirusit vazhdon gjatë, duke e detyruar qeverinë të zgjatë masat. Po me çfarë baze shkencore bëhet një parashikim i tillë? Përvoja e Kinës, Koresë së jugut dhe Japonisë na bën të shpresojmë se virusi nuk do të zgjatë shumë".

Nga një ndeshjes mes Lacios dhe Interit këtë sezon. Gazeta Si, 27 mars 2020

Sipas zëdhënësit të Lacios, qëndrimi i disa klubeve të Serisë A, me në krye Juventusin dhe Interin, për të mos u kthyer në fushë nuk lidhet me emergjencën e Koronavirusit, por me llogaritë e tyre në këtë pikë të sezonit. "Qëndrimet e këtyre klubeve lidhen me interesat e tyre të ngushtë, sepse me rinisjen e mundshme të kampionatit do të gjendeshin me një grup të reduktuar lojtarësh. Me anulimin e kampionatit, do të largohej rreziku i rënies në Serinë B, - shpjegon Diakonale -. Është qesharake që Lotito, De Laurentis dhe ndonjë president tjetër, që kërkojnë të mbyllin sezonin për të evituar pasojat e rënda ekonomike, quhen egoistë. Presidenti i Lacios, që e njeh situatën në spitale për arsye pune dhe për solidaritetin që ka treguar gjithmonë, ironizohet si neo-virolog nga Andrea Anjeli dhe kushëriri i rij Lapo Elkan.

Lotito shpreson që kriza të kalojë shpejt, kurse Agnjeli dhe Elkan kërkojnë që ajo të zgjasë. Nëse lojtarët e Juventusit dhe Interit nuk do të ishin larguar dhe nëse nuk do të kishte të infektuar, kush do të ishin virtuozët dhe kush egoistët? Ata që shohin interesin personal, duke propozuar anulimin e kampionatit, apo ata që mendojnë për interesin e gjithë sektorit, që pas shëndetit të futbollistëve dhe tifozëve shqetësohet edhe për faktin që ky sektor të mos falimentojë?"

Nëse kampionati nuk përfundon, dëmi ekonomik për Lacion llogaritet të shkojë deri në 30 milionë euro. Igli Tare dhe Tomas Strakosha, shqiptarët e këtij klubi, këtë sezon kanë shansin të shpallen kampionë të Italisë, gjithmonë nëse kampionati do të luhet deri në fund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë