Laçi nuk bën shaka. Skuadra e trajnerit Armando Cungu mposht thellë, 4-0 Luftëtarin dhe tani po, mund të thyhet me plot gojë se është kandidat për titullin kampion. Kurbinasit kanë 25 pikë pas kësaj fitoreje, po aq sa Partizani. Vendin e parë mund t’ia marrë vetëm Kukësi, nëse fiton në ndeshjen me Teutën. Laçi nuk e ka vënë asnjë moment në diskutim fitoren ndaj Luftëtarit. Xhixha, Nuabueze dhe dy herë Teko shënuan golat për skuadrën e trajnerit shkodran, ndërsa gjirokastritët e kanë të qartë tashmë se nuk kanë shpresë për të qëndruar në Superiore.
Bylisi nuk shkoi më shumë se barazimi në Vlorë. Flamurtari kaloi në avantazh me Xhevahir Sukajn, më pas ballshiotët shënuan dy herë me Guindo, por në fundin e ndeshjes Nebihu barazoi shifrat në 2-2, duke i dhënë pikën e 6-të në këtë kampionat ekipit vlonjat, që ashtu si Luftëtari, është i pashpresë për të qenë në elitë sezonin e ardhshëm.
Java e 15-të e Superiores nisi me derbin e djeshëm Partizani-Tirana, që u mbyll me fitoren e bardhebluve, 1-2. Laçi është skuadra më në formë për momentin dhe me fitoren e sotme, që ishte e pritshme, Partizani, Kukësi e ndonjë tjetër duhet t’i bëjnë llogaritë mirë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.