Futboll

Laçi dhe Teuta i afrohen kreut, e çojnë Tiranën në zonën e rënies

Superiorja e këtij sezoni është e çuditshme në ecurinë e deritanishme. Mjafton një humbje dhe nga pretendent për në Kupat e Europës, e sheh veten në zonën e rënies nga kategoria. E di shumë mirë Tirana, që pas mbylljes së javës së 14-të mban vendin e 8-të, me 19 pikë. Me këtë pozicion, i duhet të luajë ndeshje shtesë për të mbijetuar në Superiore, por kampionati ka edhe shumë javë dhe është herët për të bërë llogari.

Tirana ka përpara derbin dhe duhet të qartësojë sa më parë çështjen e trajnerit. Julian Ahmataj duket i ikur dhe mbetet të shihet se kush do ta drejtojë ekipin në seancën e parë stërvitore të derbit. Gjasat janë që drejtimin e Tiranës ta marrë Bledar Devolli, ish-lojtar i bardhebluve.


Renditja e Superiores pas javës së 14-të. Gazeta Si, 8 dhjetor 2019

Në dy ndeshjet e fundit të javës së 14-të, Laçi ka mundur Flamurtarin 3-0, kurse Teuta ka mundur Skënderbeun në minutën e fundit. Durrsakët kanë pasur fat, pasi Bruno Dita e dërgoi topin në rrjetën e portës së tij, në përpjekje për ta larguar. Si Laçi, ashtu edhe Teuta, ndodhen më pranë kreut të renditjes, ku një dendësi të madhe skuadrash në këtë moment, me në krye Partizanin. Ishte ndeshja e parë që luhej në Durrës pas tërmetit dhe tifozët kishin përgatitur një banderolë për 51 viktimat e tragjedisë që goditi vendin tonë ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë