Drejtësia

Laboratori i drogës në Has, Apeli rrëzon dënimin me 12 vjet burg për Astrit Avdylin dhe e rikthen për gjykim

Gazeta Si - Gjykata e Apelit të Posaçëm, vendosi të rrëzojë vendimin e dënimit me 12 vjet heqje lirie për Astrit Balliun alias Avdyli, i cili një vit më parë u dënua për akuzën e “Trafikimit të narkotikëve” kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.

Sipas Apelit, Avdyli, së bashku me të pandehurin tjetër Fatos Llatfiu, duhet të kthehen për rigjykim në shkallën e parë me një tjetër trup gjykues, shkruan 'Ora news'. Aktualisht Astrit Avdyli dhe Fatos Llatfiu, ndodhen në masën e sigurisë “arrest në shtëpie”.

Ndërkohë, Gjykata e Apelit, prishi vendimin për të akuzuarin Jasin Avdyli (Kala), të cili i shtoi dënimin nga 7 vite në 12 vite burg. Ndërsa për të pandehurin tjetër Denis Llaftiu nga person i pafajshëm, i ndryshohet vendimi në 10 vite burg.

Të vetmet vendime që Apeli i GJKKO la në fuqi, ishte dënimi me nga 15 vite burg të Xhemal Shalës e Iskënder Salës. Këta persona akuzohen nga SPAK si individët që kishin ndërtuar laboratorin e heroinës në Has, të cilën e trafikonin nga Turqia në drejtim të Italisë.

Laboratori u zbulua në sajë të operacionit “Vol-Vo 4”, në tetor 2018, ku u sekuestrua një sasi e konsiderueshme heroine.

Personat vepronin si një grup i strukturuar kriminal dhe ishin pjesë e dosjes së famshme me "339", e cila u regjistrua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas u transferua në SPAK.

Ndërkohë në 1 shkurt 2021, Gjykata e Posaçme, dënoi me 125 vite burg 17 personat e tjerë të përfshirë në laboratorin e heroinës në fshatin Brenog të Hasit.

Admir Hoxha, i cilësuar kreu i grupit kriminal që merrej me prodhimin dhe trafikun e heroinës, u dënua me 12 vite burg në mungesë.

Ndërsa Altin Avdyli që njihet si kreu i grupit të Avdylajve në Shijak, është dënuar 6.8 vite burg. Gjevi Ndoka, vëllai i ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, është dënuar me 8.8 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë