Podcast

Audio-Lajme 5 qershor 2019

‘Bild’ plas përgjimet: Bosi i Shijakut Astrit Avdylaj në telefon me Vangjush Dakon
Prestigjiozja gjermane “Bild” ka zbardhur një pjesë të përgjimeve të Dosjes 339 që njihet si ajo e shitblerjes së votave ku flitet për zgjedhjet në Qarkun e Durrësit.
Një ditë më parë gazetari Piter Tide, paralajmëroi se “Bild” do të publikonte përgjime të reja mes Astrit Avdylajt, kreut të grupit të Shijakut dhe kryebashkiakut aktual të Durrësit, Vangjush Dako, ku përmendet edhe emri i kryeministrit Edi Rama.
Në këto përgjime flitet qartë për blerjen e votave nga banda e Avdylajve një më të rrezikshmet dhe më ndikim në zonën e Shijakut dhe të Durrësit.
Në serinë e përgjimeve të “Bild” vihen re qartë bisedat për blerjen e votave ku Astrit Avdylaj shprehet se do ta surprizojë Edi Ramën për të fituar 10 deputetë të PS-së, siç rezulton në përgjimin ndërmjet Arjan Ndraxhit, vëllait të kandidatit për deputet të PS-së, Ilir Ndraxhi, i renditur i katërti në listën e socialistëve për Qarkun e Durrësit.
Kontaktet direkte të Astrit Avdylajt janë të drejtpërdrejta; ai flet me Vangjush Dakon, por edhe me kryebashkiakun e Shijakut, Elton Arbana, si edhe me drejtorin e Ujësjellësit.

Përgjimet, PS: Prokuroria të ndëshkojë ata që nxorën dosjet sekrete
Partia Socialiste ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar nga revista gjermane “Bild” duke i kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të ndëshkojë personat përgjegjës për nxjerrjen e sekretit hetimor për dosjen e famshme 339.
Kryetari i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja në një konferencë për shtyp akuzoi prokurorët e oficerët e policisë gjyqësore pasi sipas tij kanë dërguar dosjet në selinë e Partisë Demokratike. Sipas tij nxjerrja e sekretit hetimor përbën shkelje dhe është e dënueshme nga Kodi Penal, si dhe këto publike synojnë destabilizimin e vendit

Përgjimet, Dako: Telefonin do t’ia hap çdo qytetari
Pas publikimit të audiopërgjimeve në prestigjiozen gjermane ‘Bild’, vjen edhe reagimi i kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako.
Dako thotë se përgjimet janë absurde, pasi si kryetar bashkie do t’ia hap telefonin çdo qytetari. Sipas Dakos u takon organeve kompetente për ta zgjidhur.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur verifikimet për të mësuar rrethanat e daljes së sekretit hetimor të përgjimeve audio të kryera mes Astrit Avdylajt dhe Vangjush Dakos dhe zyrtarëve të tjerë të PS-së në qarkun e Durrësit.

PD-LSI: Qeveria të ikë për 24 orë
Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze “Bild”, sipas kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, kanë tronditur cdo shqiptar dhe të huaj. Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Basha thotë se 6 përgjimet tregojnë qartë që Edi Rama ka bërë pakt me krimin. E vetmja zgjidhje thotë Basha është largimi i Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore.
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar duke kërkuar largimin e menjëhershëm të qeverisë “Rama”. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një konferencë për mediat shprehet se nga përgjimet e Prokurorisë del hapur dhe pastër se si kriminelët kanë vjedhur votat dhe kjo qeveri është ndërtuar mbi bazën e këtyre votave. Sipas tij, çdo shqiptar e ka të qartë, që kur troket në dyert e shtetit të Rilindjes, zëre se ka trokitur në dyert e kriminelëve.

Gjykata liron 40 të arrestuarit e protestës, 2 mbeten në burg
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë për 42 protestues, që u arrestuan pas protestës së opozitës më 2 qershor.
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për tre protestues, ndërsa për dy është dhënë masa “arrest me burg”. Ndërkaq, është dhënë “detyrim paraqitjeje” për 37 protestuesit e tjerë
Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin edhe ish-deputetët e PD.

Cakaj shkarkon 50 diplomatë, mbi 1250 pasaporta diplomatike bëhen të pavlefshme
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj njoftoi ditën e sotme largimin e 50 diplomatëve shqiptarë. Cakaj u shpreh po ashtu në një deklaratë për mediat se gjysma e pasaportave diplomatike do të behen të pavlefshme.
“Në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, mbi 50% e pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit do të shpallen të pavlefshme dhe do të jenë jashtë funksionit. Këtu kujtoj, për të gjithë ju, se numri i pasaportave Diplomatike të Shqipërisë dhe numri i pasaportave të Shërbimit të Shqipërisë shkon mbi 2500 dhe kjo është jo vetëm në norma të papranueshme, por në fakt, është një praktikë e pabesueshme. Dhe kjo, do të marrë fund që nga java e ardhshme”, tha Cakaj.
Ministri në detyrë, Cakaj, njoftoi gjithashtu se 80 për qind e stafit të konsullatave të përgjithshme të Shqipërisë do të ndryshojnë.
“Arsyet për lëvizjen e tyre nuk janë të njëjta pasi disa prej tyre janë larguar për shkaqe disiplinore, të tjerë për tejkalim të kompetencave dhe të tjerë për shpërfillje të detyrave”, tha ministri.

Merkel premton liberalizimin e vizave nëse Kosova heq taksën ndaj importeve serbe?
Kryeministri Ramush Haradinaj ka udhëtuar sot drejt Berlinit i ftuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Burime për Gazetën Si nga qeveria Haradinaj konfirmojnë se kancelaria Merkel e ka thirrur kryeministrin e Kosovës për t’i kërkuar edhe njëherë heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.
Burimet thonë se Merkel është zotuar të cojë përpara procesin e liberalizimit të vizave, duke e bërë të mundur heqjen e vizave për shqiptarët e Kosovës muajt e ardhshëm.
“Kancelarja gjermane ka premtuar të na ndihmojë liberalizmin e vizave, por kërkon heqjen e taksës”, thotë zyrtari për gazetën, duke mos dhënë detaje për qëndrimin që do të mbajë Haradinaj përballë kësaj kërkese.
Në takimin e fundit me Merkel, gjatë Samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës u shpreh i palëkundur për mbajtjen në fuqi të taksës së vendosur në nëntor ndaj importeve serbe, pavarësisht presionit të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane.

Kaçe dhe Berisha besojnë te fitorja: Jemi konsoliduar
Në ditën e pestë të grumbullimit të kombëtares në Frankurt të Gjermanisë për ndeshjet me Islandën dhe Moldavinë, për mediet kanë folur, portieri Etrit Berisha dhe mesfushori, Ergys Kaçe. Të dy futbollistët shqiptarë kanë shprehur besimin e tyre se mund t’ia dalin që Shqipëria të fitojë në Islandë. Portieri i Kombëtares dhe Atalantës, Etrit Berisha, ka theksuar se fati i kualifikimit në grup për Shqipërinë varet nga ndeshja me Islandën, që luhet më 8 qershor në Rekjavik. Sipas Berishës, skuadra ka entuziazmin dhe kualitetin për ta përballuar me sukses kundërshtarin e radhës edhe në fushën e tij. Ndërsa sipas Kaçes me Rejan është rritur përqendrimi dhe dëshira për të bërë mirë në këto dy ndeshje që do të jenë vendimtare për fatin e këtyre eliminatoreve.

 

Më Shumë