Ushqim

Kuzhina shqiptare ngel në klasë: Renditet mes vendeve të fundit

Nga Gazeta Si - “TasteAtlas”, një guidë mbi përvojat e ushqimit tradicional që mbledh receta autentike, komente të kritikëve të ushqimit dhe artikuj kërkimor rreth përbërësve e pjatave të njohura, e ka renditur kuzhinën shqiptare në vend të 91 në botë me 3.90 yje, mes 100 vendeve të marra në analizë në total për vitin 2023.

Italia është renditur në vend të parë të listës, ndjekur nga Japonia në vend të dytë dhe Greqia në vendin e tretë.

Gatimet italiane vlerësohen me 4.65 yje. Ndërsa kuzhina japoneze dhe ajo greke po ashtu gëzojnë vlerësime të larta, mbi 4.6 yje. Në vend të fundit, të cilësuara si kuzhina më pak të preferuara, renditen kuzhina e Uellsit dhe Ganeze me vlerësime të barabarta, përkatësisht me 3.88 yje.

Cilat janë ushqimet më të preferuara shqiptare sipas “Tasteatlas”?

Vlerësimet rendisin si ushqime të preferuara kryesisht gatimet që në përbërjen e tyre kanë produkt mishin. Në vendin e parë renditet sarma me 4.4 yje, më pas qofte të fërguara me 4.3 yje dhe tavë kosi me 3.5 yje. Gjithashtu, vlerësohen me pikë të kënaqshme edhe gatimet si Fërgesë Tirane, Fli dhe Ballokume Elbasani.

Në krahasim me një vit më parë, Shqipëria ka rënie në renditje. Nga 95 vende që u morën në vlerësim në 2022, Shqipëria ishte në vendin e 68.

Ndërkohë, njësoj si një vit më parë, Shqipëria renditet e fundit në rajon. Serbia, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut renditen në vend të 20-të, 27-të dhe 61-të. Ndërkohë, Mali i Zi dhe Kosova nuk janë në listë pasi vlerësohet se nuk kanë artikuj të mjaftueshëm sa për t’u vlerësuar.

Vlerësimi i kuzhinës për çdo vend bazohet në mendimin e përdoruesve për tridhjetë pjatat, pijet dhe produktet ushqimore më të mira në secilin vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë