Ditën e sotme Kuvendi nisi seancën plenare të radhës ku në rend dite ishte pr/ligji për Buxhetin e vitit 2018. Siç ishte parashikuar opozita bojkotoi edhe seancën e dytë të këtij sesioni të ri parlamentar, duke u zhvendosur në Elbasan. Prezente në sallën e Kuvendit ishte vetëm maxhoranca.
Situata kriminale tejet e rëndë në vend ka qenë shkaku i zhvendosjes së opozitës.
Ndërkohë, Kuvendi vijoi seancën plenare ku ishin parashikuar të shqyrtohen disa projektligje të rëndësishme. Në rendin e ditës ishte votimi i ndryshimeve në buxhetin e vitit 2018.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha nga foltorja e Kuvendit se opozita duhet të ishte në Kuvend për t’u përballur me përgjegjësinë e saj, ndërsa shtoi se rritja ekonomike për 2018 do kapë shifrën prej 4.5%.
Ai theksoi se zhvillimet kryesore makroekonomike nё pjesёn e parё tё vitit 2018 tregojnë ritme pozitive dhe pёrshpejtuese tё rritjes ekonomike në vendin tonë, gjë që është reflektuar qartë edhe në tregun e punës.
“Nё fund tё vitit 2017, shkalla e papunësisë ra në 13.6%, ndёrsa vijoi tё bjerё edhe nё T1-2018 nё 12.5% duke regjistruar nivelin më të ulët që nga tremujori i parë i vitit 2012. Ndërkohë, punësimi (për popullsinë 15 vjeç e lart) u zgjerua me 3.4% gjatë vitit 2017 ose me rreth 38 mijë të punësuar”, theksoi Ahmetaj.
Vetëm me votat e maxhorancës dhe në mungesë të opozitës, Kuvendi arriti të miratojë sot vetëm aktin normativ të buxhetit të shtetit që kaloi me 78 vota.
Magjistratura dhe Kodi Rrugor kërkonin 84 vota dhe mungesa e opozitës bëri që këto ligje të shtyheshin sërish në pritje të konsensusit të pakicës parlamentare.
Kuvendi i Shqipërisë sot pranoi edhe kërkesën e Partisë Demokratike, për shtyrje të afateve për Komisionin Hetimor Parlamentar kundër Saimir Tahirit.
Edhe pse opozita nuk mori pjesë në seancën e radhës plenare, Kuvendi miratoi shtyrjen e afateve të Komisionit Hetimor të ngritur ndaj ish-ministrit Tahiri.
Me 73 vota pro, 3 kundër dhe dy abstenim, është miratuar zgjatja e hetimeve për Saimir Tahirin. Kështu, hetimet për Tahirin do të vazhdojnë edhe për 3 muaj.
“E papranueshme që Komisioni të mblidhet vetëm 4 herë në 6 muaj”, deklaroi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.