Nga një janari 2019 në territorin e Shqipërisë nuk do të ketë më salla bingosh, baste sportive, lojëra fati e madje as lotari kombëtare.
Maxhoranca ka diskutuar e vetme në Komisionin e Ekonomisë nen për nen, ndryshimet që i janë bërë ligjit për lojërat e fatit.
Duke vënë theksin tek korrektimi i varësisë ndaj këtyre lojërave, Ministri Arben Ahmetaj, prezent në komision, u shpreh se “nuk ka kthim prapa, por 31 dhjetori është afati i fundit për ekzistencën e tyre.”
Ahmetaj tha se administrata tatimore do të jetë përballë një sfide për të mbledhur të gjithë detyrimet e subjekteve, duke shtuar se ekonomia që gjeneron të ardhura nga lojërat e fatit nuk është fare në interesin e qeverisë shqiptare.
“Në të njëjtën kohë duhet të sqarojë opinionin politik. Pas datës 31 dhjetor asnjë asnjë shoqëri apo subjekt s’mund të ofrojë apo shërbejë lojëra fati sipas VLT. Lotaria Kombëtare ka një pretendim se i lejohet të vendoste lart e poshtë lojëra sipas VLT, por nuk ka të drejtë, zero! Nuk ka VLT. për qytetarët, VLT-të janë një formë e sofistikuar e kazinove elektronike. Nuk ka pavarësisht pretendimeve të lotarisë Kombëtare. Jam i bindur që kemi qytetarët me vete. Më duhet të them se industria do të krijojë një diferencë në të ardhurat buxhetore, por për ne nuk ka pikë rëndësie. Ne po e sfidojmë administratën tatimore, t’i mbledhin në terren. Kjo është një sfidë për të mbajtur një trajektore të ekonomisë. Kjo qeveri sot konsolidon qëndrimin sa i përket lojërave të fatit”, tha ministri Ahmetaj.
Kurse kreu i komisionit të Ekonomisë Erion Braçe tha se do kërkojë një amendim të ligjit.
“Do i drejtohem seancës plenare me një amendim për barrën fiskale”, u shpreh Braçe.
Gjithashtu ndryshimet e propozuara në ligj parashikojnë ndalimin e reklamave audiovizive gjatë emisioneve sportive dhe ndalimin e reklamave në mediet e shkruara të basteve sportive.
Deputetja Evis Kushi tha se “janë 7900 vende pune që humbasin me mbylljen e lojërave të fatit. Pra kemi një plan për këta njerëz. A ka një plan të strukturuar për këta njerëz apo ata do shkojnë thjesht tek zyra e punës?”
Në përgjigjje të deputetes Kushi, ministri Ahmetaj tha se “nga 40 kompani bastesh që ishin, sot janë vetëm 20 të cilat paguajnë më shumë. Disa kompani po bëjnë reklamë kundër ligjit. Disa kompanive u kemi hequr licencën. Dy fushata trajnimi për ata që mbeten pa punë. Ka shumë programe punësimi dhe sociale, por një pjesë e mirë e të punësuarve në këtë sektor do gjejnë punë me zgjerimin e ekonomisë. Po behët zgjerim ekonomik në disa sektorë.”
Për kreun e Komisionit Erjon Brace, lojërat e fatit sollën shumë probleme sociale dhe operatorët e basteve kanë refuzuar zbatimin e ligjit dhe janë ndërgjegjësuar tani. “Ligji thjesht zbatohet. Kush ka refuzuar zbatimin e ligjit do përballet me të. Është shfrytëzuar varësia nga lojërat e fatit. Amendamentet që miratojmë sot i japin fund aktiviteteve të lojërave të fatit. Në vendet e zhvilluara bastet janë monopol i shtetit.”- tha Braçe.
Ndryshimet do të kalojnë të enjten në seancë plenare.
Reagimi i Kryeministrit Rama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter, pas miratimit të projekt ligjit për lojërat e fatit nga Komisioni i Ekonomisë.
Kryeministri Edi Rama thotë se tashmë projekt ligji kalon në Komisionin e Ligjeve dhe të enjten votohet në Kuvend. Sipas kryeministrit, miratimi i pr.ligjit për lojërat e fatit është një mesazh i qartë ndaj krimit të organizuar.
Reagimi i Jorida Tabakut
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka reaguar përmes llogarisë së saj në Facebook duke thënë se “Ata që sot flasin kundër basteve sportive dhe kazinove janë kumarxhinjtë e politikës që fatin e tyre e kanë vendosur në rulotën politike: Ata sollën në vitin 2015 një ligj klientelist që e ndryshuan në seancën parlamentare për të përmbushur qokat e tyre elektorale.”- duke vijuar më tej: “Janë ata që përmes një aksioni fasadë “Fundi Marrëzisë” prdhuan marrëzinë e basteve pafund. Janë të njëjtë me mazhorancës që nuk solli asnjë akt nënligjor për ligjin që miratoi. Janë të njëjtë me mazhorancën dhe kryeministrin që votuan shtyrjen e hyrjes në fuqi të Ligjit të Lojërave të Fatit që vetë votuan.Nën këtë kryeministër u dhjetëfishuan pikat e basteve në kundërshtim me çdo normë ligjore. Nën këtë mazhorancë u dha me koncesion tek kompania e lidhur me vëllain e kryeministrit Sistemi i Monitorimit Online të cilin po e shfrytëzon për të vjelur paratë publike.Nën këtë mazhorancë për një muaj rresht shqiptarët u bombarduan me publicitetin edhe promocionin e lojërave të fatit edhe në TVSH që paguhet me taksat e shqiptarëve.”
Prandaj, për Tabakun, kjo mazhorancë është e fundit që i takon të flasë me Bibël dhe Kuran për lojrat e fatit. Sipas Tabakut, nëse sot kryeministri ankohet për mesazhet që i vijnë nga burgjet atëherë, ai dëshmon se është peng jo i vesit të basteve por i vesit të të qenurit pjesë e të inkriminuarve. “Faktet thërrasin fort përfshirjen e mazhorancës në një tjetër grup të inkriminuar që sot për sot kërkon monopolin e kazinove dhe lojërave të fatit. Lejet e ndërtimit, ligji i ri me emerin “Bast Arena” dhe promovimi i kryeministrit janë shenjat e qarta të qelisë prej nga ku mazhoranca porosit ligjet.”- përfundon mendimin e saj në murin e Facebooki, deputetja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.