Bota

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votëbeson Qeverinë e Zoran Zaevit

Kreyministri Zoran Zaev ka marrë besimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, pas kërkesës së tij për votëbesim. Nga 120 deputetë që ka kuvendi, 62 deputetë votuan për qeverinë, kurse opozita bojkotoi.

Më parë Zaev kishte paraqitur një kërkesëpër votëbesim, pas deklaratave të vazhdueshme të liderit të opozitës dhe kryetarit të VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili ka thënë se shumica parlamentare ka humbur mbështetjen dhe se duhen zgjedhje të parakohshme.

Zoran Zaev. Gazeta Si, 3 mars 2021

“Ky është momenti që duhet të shohim se kush sa numra ka në Kuvend, ne apo opozita, që vazhdimisht pretendon se do ta rrëzojë Qeverinë dhe do të formojë një shumicë të re. Lajmet e rreme dhe bllokadat krijojnë pasiguri politike. Nuk do ta lejoj këtë, ndaj kërkoj votëbesim për Qeverinë”, tha kryeministri Zoran Zaev.

Votëbesimi u bë pa debat. Zaev e paraqiti kërkesën në bazë të rregullores mbi punën e Kuvendit, që nuk parashikon debat, por vetëm votim. Opozita nuk ishte dakord me këtë propozim. Sipas saj, Zaev ka frikë të përballet me opozitën për dështimin e Qeverisë së tij.

“Ju keni frikë të përballeni me argumentet tona, që dëshmojnë dështimet e Qeverisë në të gjitha sferat. Keni dështuar ta menaxhoni vendin në krizën me pandeminë, keni dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe jeni zhytur vetë në korrupsion. Dështimet janë evidente, ndaj duhet të përballeni me argumentet tona dhe jo të ikni nga përballja me to”, - u shpreh kryetari i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, Nikolla Micevski.

Skënder Rexhepi. Gazeta Si, 3 mars 2021

Opozita shqiptare gjithashtu pati kritika ndaj Zaevit në lidhje me votëbesimin pa debat. “Qeveria tenton të fshehë dështimet në arsim dhe shëndetësi, si dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve, edhe të drejtën për protestë. Opozita duhet të dëgjohet për punën e Qeverisë, kjo është kopje e asaj që ka ndodhur në regjimin e kaluar”, - tha Skënder Rexhepi i koalicionit opozitar shqiptar.

Zoran Zaev drejton Qeverinë e Maqedonisë së Veriut që më 31 gusht 2020. Partia e tij është në koalicion me Bashkimin Demokratik për Integrim dhe disa parti të vogla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë