Lajme

Kuvend, mesazhi i Ramës për Kim dhe Sorecën: Vota na takon ne, nuk është përgjegjësi e juaj

Kryeministri Edi Rama kishte një mesazh sot në Kuvend jo për opozitën jashtë Kuvendit, por për ambasadorët.

 “I takon shtetit shqiptar të Kuvendit se çfarë bën me sistemin zgjedhor, nuk është zgjedhje që kemi detyrimin ta ndajmë as me ambasadoren amerikane, as më atë të BE-së dhe me askënd tjetër duke i respektuar maksimalisht…”, tha Rama në Kuvend teksa paralelisht votohej për ndryshimet kushtetuese.

“Nuk mund të bëhen edhe 30 vjet të tjera, nga ato që kaluam, nëse vazhdojmë të mos i themi gjërat siç janë dhe natyrisht nuk është përgjegjësia e ambasadores amerikane, atij të BE-së, Uashingtonit apo Brukselit, Berlinit apo Parisit që prej 30 vjetësh kërkojnë në anglisht zgjidhjen e problemeve që janë shqiptare…”, shtoi Rama.

Kryeministri komentoi edhe një fjali të Yuri Kim një ditë më parë se  çdo veprim i Parlamentit sot nuk i mbyll negociatat e nisura në Këshillin Politik rreth listave të hapura dhe koalicioneve. “Ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre”, nënvizoi ajo. Një fjali që Ramës sa duket nuk i ka lënë shije të mirë.

“Nuk më vjen mirë sinqerisht dhe ajo fjali është një arsye për cdo person në këtë vend që kur merr përsipër të përfaqësojë popullin vetë në sallë të mos e bëj qesharak popullin e vet, dhe shtetin e vet sepse e kemi krijuar ne këtë trashëgimi të ulët e cila është vazhdim i një historie të gjatë moskuptimesh mes shqiptarëve që kanë çuar shqiptarët në situata të pajustifikueshme dhe që nuk e kanë lënë këtë vend të bekuar që populli të jetojë me dinjitet. Kjo votë sot është votë me dinjitet është vendimmarrja jonë terësisht e përputhur me standardet ndërkombëtare dhe me ambicien për ta bërë një vend më demokratik një vend ku përgjegjësia përkthehet në punë për Shqipërinë dhe jo në sherr mes shqiptarëve…”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë