Rend dhe Ligj

Kushtetuesja, zvarritja e procedurave dhe përplasja për anëtarët e rinj

Plotësimi i Gjykatës Kushtetuese po pritet me padurim për shkak se ky institucion duhet të shqyrtojë disa prej çështjeve që mbajnë peng edhe fatet politike dhe institucionale të vendit. Pranë kësaj Gjykate është depozituar kërkesa e opozitës për shpalljet si antikushtetuese të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, apo për bllokimin e ligjit për prishjen e Teatrit Kombëtar. Por mbi të gjitha kjo gjykatë duhet të shqyrtojë, e kjo nëse Kuvendi miraton nismën e mazhorancës, edhe kërkesën për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.

Të gjithë shprehen se Gjykata Kushtetuese e stërgjymtuar nga procesi i Vettingut do të jetë e plotësuar në vjeshtën që po troket, por asnjë institucion nuk ka hedhur hapat konkretë, madje procedura mund të shkojë përtej vjeshtës. Kjo tejzgjatje mund të rrezikojë të bllokohet për shkak se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka një mandat njëvjeçar dhe i duhet të ripërtërihet sipas ligjit.


Kuvendi i Shqipërisë hapi këto ditë për të disatën herë garën për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, pas shkarkimit të anëtarit Fatos Lulo nga procesi i Vettingut. Kuvendi ka shpallur si afat për paraqitjen e dokumenteve nga kandidatët deri më 15 shtator. Në faqen zyrtare të Kuvendit janë bërë publike të gjitha kriteret që duhet të plotësojnë emrat e interesuar, që nga përvoja e punës jo më pak se 15 vjet në sistemin e drejtësisë apo vlerësimet në aspektin profesional si dhe integritetin etik e moral.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi


Këshilli Emërimeve në Drejtësi ndërkohë që ka përcaktuar një listë me renditjen e kandidatëve që janë vlerësuar sipas pikëzimit për t’u zgjedhur nga dy institucionet Presidenti dhe Kuvendi i Shqipërisë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi zhvilloi proceset e relatimit të procedurave të ndjekura deri më tani për vlerësimin e kandidaturave për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, si edhe zhvilloi intervistat, sipas ligjit, me të gjithë kandidatët e lejuar për kandidim, sipas radhës më poshtë: Arta Vorpsi; Elsa Toska; Fiona Papajorgji; Regleta Panajoti dhe Marsida Xhaferllari.

Në një njoftim në fillim të gushtit, KED bëri të ditur se pas miratimit, raporti i arsyetuar, lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe aktet përkatëse të vlerësimit dhe pikëzimit të çdo kandidati dhe për secilin vend vakant, do t’i dërgohen organeve të emërtesës, Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, në mënyrë që të ushtrojnë, sipas përcaktimeve të Kushtetutës, kompetencën dhe detyrimin kushtetues të zgjedhjes dhe emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Pas këtij vendimi, Kuvendi rishpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendin vakant për 1 anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e “vakancës së parakohshme” të krijuar për shkak të mbarimit para afatit ligjor të mandatit të Fatos Lulos.

Presidenca në pritje të vendimit të Gjykatës Administrative

Sipas burimeve pranë Presidencës, mësohet se procesi për çështjen e emërimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, ka mbetur për faktin se sipas ligjit Presidenti apo Kuvendi minimalisht duhet të kenë tre kandidatë për të pazgjedhur për një anëtar të institucionit që njihet ndryshe edhe “rojtari i Kushtetutës”.
Për Gazeta "Si", burime pranë Presidencës bëjnë të ditur se në këto kushte duhen të paktën tre kandidatë alternativë për të zgjedhur si nga presidenti Meta apo Kuvendi. Nisur nga kjo, Presidenti është në pritje të vendimeve të Gjykatës Administrative për ankimimet e bëra ndaj KED-së nga dy personat e skualifikuar dhe më pas do të vendosë se si do të procedohet nëse do të hapet një garë e re, apo do të vijohet me procedurën ekzistuese.

Presidenti Ilir Meta pas daljes nga Gjykata Kushtetuese

Kështu pra, pritet vendimi i Gjykatës Administrative, pasi vakanca e Presidentit ka ngelur me dy kandidatë në garë dhe pritet procesi gjyqësor për dy të tjerë që janë në gjyqe.
Presidenti në mars shpalli vendin vakant për anëtaren Altina Xhoxhaj. Vitin e kaluar Presidenca shpalli vendet vakante për anëtarët Sokol Berberi dhe Besnik Ymeraj. Nëse plotësohen 6 kandidatët për anëtarë, atëherë mund t’i hapet rruga për plotësimin e dy vendeve të lënë bosh nga Ymeraj dhe Berberi. Burimet pohojnë se Presidenti mund të rishpallë garën për vendet vakante.

Presidenti është institucioni i parë që ka të drejtën e përzgjedhjes së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Më pas radha i vjen Parlamentit dhe Gjykatës së Lartë. Kjo e fundit është jashtë loje për momentin, pasi edhe ajo nuk e ka numrin e duhur të anëtarëve, pasi edhe ajo është gjymtuar nga procesi i Vettingut.


Ambasada Amerikane me një postim me anë të një video të disa ditëve më parë, i kushtonte rëndësi plotësimit të Gjykatës Kushtetuese. Videoja e lançuar pas vendimit të KED-së theksonte se këtë proces nuk mund të bëhet pengesë asnjë institucion as vetë Presidenti dhe Kuvendi, pasi procedura e tillë nuk jep të drejtën ta bllokojnë. Në rast se Parlamenti nuk e voton, apo presidenti nuk zgjedh emrat e listuar, atëherë automatikisht fitues shpallet kandidati i renditur i pari nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

https://www.facebook.com/usembassytirana/videos/406299486663841/


Gjykata Kushtetuese ka nëntë anëtarë gjithsej. Tre anëtarë zgjidhen nga Presidenti, tre anëtarë nga Kuvendi dhe tre të tjerë nga Gjykata e Lartë. Nga procesi i Vettingut 8 anëtarë u përjashtuan apo dhanë dorëheqjen, duke dalë jashtë sistemit të drejtësisë. Vetëm Vitore Tusha doli e pastër nga ky proces, porse edhe asaj i ka mbaruar mandati.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë