Politike

Kushtetuesja vulos mosnjohjen e Vorpsit, nesër vendoset për fatin e Muçit

Gjykata Kushtetuese rrëzoi përfundimisht Arta Voprsin si anëtare të saj. Edhe pse politika dhe institucionet si Parlamenti dhe Presidenti po “luftojnë” akoma se kush do të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese , Arta Vorpsi apo Marsida Xhaferllari.
Ky institucion që është kthyer në një “mollë sherri” e ka zgjidhur vetë këtë çështje. Kjo pasi në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese renditen edhe emrat e anëtarëve të saj, duke e pasuruar me emrat e rinj. Në këtë listë mungon emri i Arta Vorpsit, por figuron i Marsida Xhaferllarit. Te seksioni “Përbërja”, Gjykata rendit si anëtare Vitore Tushaj, Besnik Muçin, Elsa Toskën, Marsida Xhaferllarin dhe Fjona Papajorgjin. Gjithashtu kjo Gjykatë mori edhe vendimin për t’ia dërguar presidentit Meta dhe listën e anëtarëve për t’u bërë pjesë e shortit të KED-së, duke shmangur sërish Arta Vorpsin.

Faqja zyrtare e Gjykatës Kushtetuese, ku renditen emrat e anëtarëve të këtij institucioni. Gazeta Si 20 nëntor 2019


Pavarësisht këtij sherri anëtarët e Gjykatës do t’i duhet të përballen sërish me Arta Vorpin, pasi e betuara përpara noterit si anëtare është këshilltare ligjore e këtij institucioni.
Tashmë konflikti përballë të zgjedhurve e rinj dhe të vjetër, e vetë punonjësve duket i zgjidhur nga vetë Gjykata Kushtetueses, por problemet për anëtarët nuk kanë të sosur. Dy anëtarët e zgjedhur nga presidenti Meta, Besnik Muçi dhe Marsida Xhaferllarin nuk i kanë mbyllur llogaritë me procesin e Vettingut.

Arta Vorpsi. Gazeta Si, 20 nëntor 2019


Besnik Muçi, i zgjedhur i pari si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, pret vendimin final nga Komisoni i Posaçëm i Apelimit. E enjtja e 21 nëntorit është vendimtare për Muçin, prokurorin e krimeve të Rënda, i cili prej 16 tetorit nga ndërruar status duke u ngjitur shkallët e karrierës në sistemin e drejtësisë.
Muçi kaloi shkallën e parë të procesit të Vettingut, por vendimi i tij u ankimua nga Komisioneri Publik me rekomandimin e ekspertëve ndërkombëtarë. Pasuria dhe huadhënia nga një biznesmen janë disa nga kontestimet ndaj anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. KPA bën të ditur se subjekti i rivlerësimit paraqiti kundërshtimet e tij mbi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të dhënë në gusht të vitit 2018. “Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë më datë 21.11.2019, ora 11:00”, thuhet në vendimin e KPA-së.

Anëtari Besnik Muçi duke kryer betimin para presidentit Meta, pas dekretimit


Për anëtaren Xhaferllari, do të mblidhet Dhoma e Këshillit të Komisionit të Posaçëm të Apelimit për të gjykuar çështjen e ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Marsida Xhaferllari, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të marrë në mars të këtij viti. Sipas të gjitha gjasave vendimi për Xhaferllarin, emrin e shumë kontestuar nga mazhoranca pritet të merret nga ana e KPA-së në janar.

Marsida Xhaferllari gjatë betimit të presidentit. Gazeta Si, 20 nëntor 2019


Nëse KPA mund të vendosë që të përjashtojë nga sistemi i drejtësisë, Muçin e Xhaferllarin atëherë automatikisht ata nuk do të jenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe se gara për zëvendësimin duhet të nisë nga e para. Të dy anëtarët janë dekretuar nga ana e presidentit Meta. Sakaq mazhoranca mund të shpresojë që të paktën për Xhaferllarin, KPA të marrë një vendim që mund të favorizojë socialistët, duke i dhënë fund edhe debatit për faktin se kush duhet të jetë anëtare i Gjykatës Kushtetuese, Vorpsi apo e dekretuara dhe e betuara përpara presidentit, Xhaferllari.
Krijimi i Gjykatës Kushtetuese është një nga kushtet kryesore të Bundestagut gjerman. Zyrtarisht me pesë anëtarë, Gjykata pritet të plotësohet edhe me anëtarë të tjerë, por kjo parashikohet në janarin e vitit të ardhshëm. Kjo për faktin se institucionet si Presidenca apo Parlamenti duhet të zgjedhin përbërjen e re të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë