Politike

Kushtetuesja shqyrton kërkesën e PR, Mediu: Nuk duam standarde të dyfishta

Gjykata Kushtetuese po mban sot seancën e parë për shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili kundërshton ndalimin e takimeve elektorale.

Kjo masë ndaluese u vendos nga Komiteti Teknik i Ekspertëve të Shëndetësisë në fund të vitit të kaluar, për shkak të masave të pandemisë.

Kreu i PR, Fatmir Mediu, ka folur para Gjykatës Kushtetuese ku po shqyrtohet kërkesa e PR për zhvillimin e tubimeve elektorale.

Mediu është shprehur se është dakord për respektimin e masave anti-COVID, por kërkon barazi dhe jo standarde të dyfishta.

“Kërkesa e PR kërkon respektimin e ligjit në mënyrë të barabartë si nga individët ashtu dhe nga partitë. Veprimtaritë e Ramës kërkojnë karantinë për opozitën, ndërkohë që parlamenti e qeveria mbi 10 veta mund të mblidhen. Kjo është situatë e papranueshme, antikushtetuese dhe ligjore s’mund të ketë dy standarde, sepse s’mund të trajtohet ndryshe kryetari i partisë, kryeministri dhe kryetari i bashkisë dhe ndryshe opozitarët”, mësohet të ketë shprehur Mediu para Gjykatës.

Sipas Mediut, duhet të përcaktohen qartë rregullat në fushatë elektorale, pasi ka një pabarazi mes mazhorancës dhe opozitës.

“Duhet të përcaktohen qartësisht rregullat në fushatë elektorale. 10 veta në një sallë të vogël nuk është e barabartë me një sallë të madhe. Duhet lënë mënjanë hipokrizia që drejtues të komitetit të lënë qeverinë. Masat ushtrohen vetëm tek opozita. Parlamenti mblidhet, pushteti vendor mblidhet, vetëm opozita nuk lejohet”, shprehet ndër të tjera Mediu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë