Sociale

Kushi njofton shkarkimin e mësuesit-pedofil nga shkolla: Hetim për përgjegjësit

Pak pas publikimit të skandalit të rikthimit në detyrë të mësuesit Ëngjëll Bregu, i dënuar më parë për pedofili dhe ngacmim seksual, është vendosur largimi i tij nga detyra.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila shprehet se mësuesi i Fizikës është shkarkuar menjëherë.

 “Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2013 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona”, - shkruan Kushi në një koment në Fb.

Ajo tha se ka nisur një hetim për personat përgjegjës që nuk kanë marrë informacionin e duhur duke lejuar punësimin e tij. Ministrja paralajmëron se ndaj tyre do të merret masë ndëshkuese.

“Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese”.

Kushi sqaron se do të rishikohet menjëherë baza ligjore për procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve.

“Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë”.

Kushi e mbyll komentin duke i ftuar të gjithë, “prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi cdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë