Njerez

Kush nuk e donte prokurorin Ndini Tavani në SPAK

“Unë jam Ndini Tavani, për të gjithë ata anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që nuk më njohin…” Kështu e nisi prezantimin para KLP , prokurori i kryeqytetit i cili synoi prokurorinë e posaçme SPAK, por që pa kaluar shumë kohë nga kjo fitore ai humbi betejën më të madhe të profesionit të tij. Edhe pse i listuar nga 22 garues mes 15 më të mirëve drejt SPAK, Vettingu e shkarkoi dhe nuk e konfirmoi në detyrë. Kur Ndini Tavani doli para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për t’u intervistuar, ai u pyet së pari nga kryetari i këtij Këshilli Gent Ibrahimi: A mund të na thoni motivet që ju kanë shtyrë për një pozicion drejt SPAK?
Prokurori foli jo vetëm për veten por edhe për vendin dhe sundimin e ligjit: “Dëshiroj që në Shqipëri të sundojë ligji dhe SPAK është rrugëtimi im”, u përgjigj prokurori.
“Në fakt, siç e kam shprehur edhe në letrën e motivimit, ka qenë e vështirë për mua që të shprehja dëshirën për të qenë në SPAK për shkak të disa kufizimeve të lirisë personale të vendosura në ligj dhe për jetën private. Megjithatë në kuadër të një shprese dhe pasionit tim duke dashur të jap kontributin si për familjen si për vendin tim, kam menduar se jam i aftë të jap kontributin në SPAK dhe për sundimin e ligjit si një rrethanë deçizive për mirëqenien e çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë”.
Ndini Tavani u shkarkua për 2.5 milionë lekë, prej të cilave vetë KPK tha se 1.6 milionë lekë ai i justifikonte. A u ndoq i njëjti standard për vettingun, siç KPK veproi me gjyqtarë e prokurorë të tjerë të konfirmuar në detyrë nga shkalla e parë, por që për shkak të pasurive marramendëse ata janë apeluar në Kolegjin e Posaçëm?

Kur Ndini Tavani u ul para Këshillit

Ndini Tavani: "Unë jam Ndini Tavani për ata që nuk më njohin. Jam i martuar dhe kam dy fëmijë. Më lejoni shkurtimisht që të prezantoj eksperiencën time si prokuror i republikës së Shqipërisë. Jam dekretuar prokuror në vitin 2006 dhe kam ushtruar detyrën si prokuror i Republikës në disa rrethe si prokuror në rrethin gjyqësor Durrës, Lushnjë, Vlorë dhe aktualisht jam prokuror në Rrethin Gjyqësor Tiranë. Kam një eksperiencë prej 13 vitesh si prokuror, në disa momente kam ushtruar përkohësisht detyrën e zëvendës prokurorit të rrethit gjyqësor Vlorë dhe aktualisht mbaj detyrën e shefit të seksionit në Forcës së Ligjit në prokurorinë e Tiranës. Që prej vitit 2009 kam qenë pjesë e njësisë Task Force të ngritur në prokuroritë shqiptare. Në këto rrethana duke konsideruar një eksperiencë mëse të mjaftueshme në prokurori, duke marrë shkas edhe nga situata dhe nga thirrja e bërë nga ju , nisur edhe nga dëshira për të vazhduar me kontributin tim si prokuror në prokurorinë e Posaçme SPAK, kam menduar të konkurroj duke menduar se i plotësoj kushtet për të qenë pjesë e kësaj prokurorie”.

Prokurori Ndini Tavani, gjatë seancës së vettingut

Trupa gjyqësore që e shkarkoi prokurorin me karrierë 13-vjeçare por që njihej për hetimin e çështjeve të korrupsionit dhe i vetmi që dërgoi në qeli një ish ministër (Spiro Kserën) përbëhej nga komisionerët Alma Faskaj, Brunilda Bekteshi dhe Roland Ilia. Madje edhe vetë komisionerët ishin të përçarë për ta përjashtuar nga sistemi prokurorin Tavani pasi siç deklaroi relatorja " vendimi u dha me shumicë votash", që do të thotë se anëtarët e vettingut në rastin e prokurorit Tavani nuk ishin në unitet për shkarkim
Ndini Tavani është diplomuar si magjistrat me nota të shkëlqyera dhe nga viti 2003 deri në 2004, ai ushtroi profesionin e avokatit. Pikërisht prokurori u shkarkua për lekët gjatë punës si avokat, për shumën e 2.5 milionë edhe pse në fakt për 1.6 milionë lekë prokurori kishte fatura tatimore që nuk i ishte shmangur detyrimeve tatimore. Ai u vlerësua nga ILDPKI me kartonin jeshil në aspektin e pasurive, por pozita e tij u rëndua në një pikë të pashpjeguar mjaftueshëm nga KPK për komponentin e përshtatshmërisë pasi DSIK në të gjitha rastet konsideronte të papërshtatshëm një subjekt që shfaqej me persona me probleme me ligjin , ndërsa për Ndini Tavanin u konsiderua e tillë, pra e papërshtatshme, mënyra si ai kishte hetuar. Duke marrë rolin e një gjykate, KPK ngriti dyshime për prokurorin të kishte shpërdoruar detyrën gjatë hetimit të disa personave për ngritjen e skemave mashtruese. Prokurori i çmoi këto gjetje si të pabazuara dhe të pavërteta, megjithatë fjala e tij nuk pati peshë, siç rezultoi.

Prokurori Ndini Tavani, gjatë seancës së vettingut

Kush nuk e donte Ndini Tavanin në SPAK?

Për faktin se prokurori njihet si përfaqësuesi i akuzës që dërgoi në gjyq ish-ministrin Spiro Ksera, por edhe të tjerë personazhe gjatë hetimit financiar pas vrasjes së Artan Santos, kandidimi i Tavanit për në SPAK u prit mirë. Prokurori jeton në një lagje periferike të kryeqytetit dhe njihej si i pakorruptuar. Por përveç kësaj, njihej si prokurori që hetoi pas tragjedisë së 21 janarit zyrtarë të lartë për zhdukjen e pamjeve filmike në Kryeministri. Hetoi mafien e tokave në qytetin e Vlorës duke prekur i pari një plagë për tjetërsimin e tokave në bregdet që u kopjua nga shumë prokurori të tjera. A u nxor enkas Ndini Tavani jashtë sistemit për të mos qenë pjesë e një prokurorie, e cila do të hetojë krimin dhe korrupsionin në vend? Këto pikëpyetje por edhe të tjera, sikundër ndodhi edhe për prokurorë të tjerë që konsideroheshin elita sikurse ishte Antoneta Sevdari, apo Dritan Rreshka, hedhin në radhë të parë dyshime ndaj rrugës ku ka hyrë procesi i kontrollit të njerëzve të drejtësisë. Të gjithë ata që janë shkarkuar, në një pjesë dërrmuese, kishin probleme të theksuara me pasuritë dhe lidhje me elementët kriminalë… Por a mos vallë nën pretekstin e spastrimit, qëllimisht, bashkë me barin e thatë po digjet edhe bari i njomë?!…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë