Art dhe Kulture

Kush ka frikë nga arti i rrugës?

Mami, shiko, Spideri! Gishti i vogël i një djali katërvjeçar mbi biçikletë tregonte nga një murale në një faqe pallati, ndërsa pasthirrma habie shoqëruar me gëzim, shoqëronin zërin e tij fëminor. Nga të dy anët e rrugës që të çon nga kryqëzimi i “Vasil Shantos” drejt “21 Dhjetorit”, shfaqeshin pikturat në fasada godinash.

Njeriu merimangë, që dukej sikur i ishte arratisur një reviste vizatimore dhe ishte kacavjerrë deri në anën e godinës së banuar, shpërfaqej me përmasa gjigante. Ishte banori i ri në atë zonë, ndërsa këto ditë në Tiranë u zhvillua i dyti edicion i festivalit “MurAl Fest”, ide dhe organizim i Bashkisë së Tiranës, Departamentit të Dekorit Urban, "Ndërmarrja e Dekorit" dhe laboratorit italian 167/B Street nga Lecce e Italisë.

Solo&Diamond nga Italia, MurAl Fest 2019


Arushi gjigant i pelushit dhe vogëlushja, fëmijët që hidhen në litar, nëna Liucado, Shqipëria dhe Kosova të bashkuar në një përqafim të vegjlish… janë vetëm disa nga veprat e artit që më ndërmend e që kanë nisur të hijeshojnë mjediset e hapura të kryeqytetit. Nëse ka diç që e bën Tiranën europiane, mendoj se janë shpërfaqja artistike dhe mjeshtëria e realizimit të autorëve në ato murale. Tablo gjigante, të cilat tërheqin vizitorë pareshtur, edhe sytë e kalimtarëve të mbështjellë me kaosin e mendimeve të tyre apo nga vargonjtë e përditshmërisë.

Mots nga Portugalia dhe Polonia, MurAl Fest, 2019


“Tirana po shndërrohet në kryeqytetin e artit të rrugës. Është fantastike”, do të më thoshte dy vjet më parë një artist grafiti nga Shkupi, pasi e kishte vizituar disa herë Shqipërinë dhe i njihte mirë artistët e rinj shqiptarë, që e lëvrojnë artin e tyre, falë edhe lejes nga Bashkia e Tiranës, që pas nismës “Tirana Cool”, krijoi departamentin e posaçëm për dekorin urban, që solli më pas festivalin, “MurAl Fest”. Edicioni i dytë nisi në Ditën e Fëmijëve dhe për një javë pjesëmarrësit nga ShBA, Argjentina, Kolumbia, Uruguai, Spanja, Franca, Italia, Anglia, Portugalia, Greqia, Rumania e Polonia, por edhe artistë vendas, nisën të shndërronin fasada pallatesh të zymta e të dalë boje, nga koha…

Murale e Dimitris Taxis nga Greqia, MurAl Fest 2019


Por jo të gjithë e panë me admirim punën e artistëve të rinj, që kacavirreshin nëpër litarë me kova boje për t’u dhënë jetë imagjinatave të tyre. Ndërsa vepra e artistit italian “Nemo’s” kishte nisur të merrte formë, diku në zonën e Tiranës së Re, shpërthyen edhe pakënaqësitë e qytetarëve, deri me nota denoncimesh. “Banorët janë zgjuar dje me këtë paçavure që mbulon pallatin. Kujtoj që është e njëjta zonë ku pallatet e vjetra u bënë si kopsht fëmijësh, por kjo e fundit me keq. Dy pleq lakuriq, që japin vetëm trishtim. Askush nuk e dinte çfarë do te dilte se vetëm pardje e nis%n e dje e përfunduan. Vetëm banorët e shkretë e marrin vesh të fundit ç’fytyrë i jepet lagjes së tyre”, raportonte një qytetar në media.

Sismikazot nga Franca, në MurAl Fest 2019


Po ashtu, edhe aktori Gentian Zenelaj, shkruante në Facebook, duke shfaqur hapur pakënaqësinë ndaj veprës së artit. “Pse dita ime duhet të nisë me këtë pikturë depresive?”, i drejtohej aktori kryebashkiakut Veliaj, ndërsa e cilësonte një kopjues të ish-presidentit amerikan Obama. Dhe për ta mbyllur, “veprat” e tua të artit nëpër Tiranë thjesht ta shpifin. Edhe “Çufo dhe Tipi” që ke vënë te Presidenca... I ke bërë prej hekuri me cepa. Ke bërë një Çufo dhe Tipi, ku fëmijët nuk luajnë dot... Tani lëshoji qentë... s’më plas... sepse... THESE ARE THE THINGS WE ARE FIGHTING FOR... ”, e përmbyllte mesazhin e tij Zenelaj, duke cituar mesazhin në një nga muralet e realizuara në zonën e “Zogut të Zi”, e cila ka pasur edhe jehonë në mediat ndërkombëtare.

Murale e realizuar nga Nemo's gjatë edicionit të dytë të MurAl Fest 2019


Nuk kanë vonuar edhe veprimet konkrete kundër murales në fjalë, ende pa u mbyllur festivali. Njolla boje janë hedhur mbi veprën e artit të rrugës që shfaq një çift, me portrete të trishtuar, ndërsa dora e gruas, është një litar që varet në qafën e saj si një zgjedhë. Poshtë veprës, është shkruar parulla “Shame on you Rama-Veliaj”. Për artistin italian, i cili e ka shpërfaqur artin e tij të rrugës jo vetëm në qytete të ndryshme të Italisë, por në të gjithë botën, me gjasë nuk është hera e parë që veprat e tij ngjallin debat. Graffitti, muralet, janë quajtur art përmes vandalizmit. Një akt rebelimi, një dëshirë për mospajtim, një ulërimë me pamje, një kritikë vizuale në mes të qytetit… Jo vetëm bojë e derdhur në mure pa jetë, as shkarravina që flasin për energji të kanalizuar keq të moshës. Është arti i rrugës që shërben më shumë sesa art për art. Një art që flet përmes mesazhesh dhe sensibilizon, në përpjekje edhe për të shkundur shoqërinë në probleme që syri i has kudo.

Murale e Mabel Vincent nga Argjentina gjatë edicionit të dytë të "MurAl Fest" ,


“Kur vepra e mrekullueshme e kalon masën estetike, njerëzore, emocionin, gjendjen, provokon frikën dhe të vërtetën”, do të reagonte Eljan Tanini, si një pjesëmarrës i festivalit edicionin e kaluar, por edhe si një artist i angazhuar me pikturat murale. “Ka shumë gjëra që ende nuk janë gati për këtë vend, ashtu siç edhe vendi ka vite që pëlcet dhe mezi i mban ata njerëz që duan vetëm Babën. Vepra e arriti qëllimin shumë shpejt”, shkruante Tanini në rrjetet sociale, ndërsa e cilësonte atë të artistit Nemo’s një nga veprat e mrekullueshme që po bëhen në kryeqytet për Festivalin e Muraleve.

Murale e realizuar nga kolumbiani Stinkfish gjatë edicionit të dytë të "MurAl Fest"


Megjithëse shijet nuk diskutohen, fushata kundër një muraleje ngjan me gjueti shtrigash ndaj kujt rreket të mos e zbukurojë realitetin, por t’i shkojë në thelb për të trazuar. Është ky misioni i vërtetë i artit, përtej imitimit të jetës. Edhe veprat e Banksy-it, një prej artistëve më të famshëm të rrugës, nuk kanë bukuri estetike më shumë sesa qëndrim politik në epigramat e tij trazuese që kombinojnë humorin e zi me grafitin. Veprat e tij shihen sot si komentarë politikë dhe socialë në rrugë, mure, ura, në të gjithë botën.

Murale e artistit italian Davide dpa, i njohur si poeti i rrugës, MurAl Fest, 2019

Po kush është Nemo’s, i cili trazoi mendimet e shqiptarëve këto ditë?
E zgjodhi emrin e artit nga kapiteni i librit "Njëzetmijë Lega Nën Det", i cili luftoi beteja kundër luftës, padrejtësive në botë dhe heshtjes së detit. "Nemo, si personazhi kryesor i një prej historive të ilustruara të Winsor McKays, ku ai rrëfen ankthet që ky djalë ka çdo natë rreth aventurave në mbretërinë fantastike, të quajtur Slumberland. E së fundi Nemo, si fjala latine 'askush'”, ka zbuluar artisti i ri. Pasi kuptoi se graffiti nuk e kënaqte, e braktisi aspektin kaligrafik dhe nisi të riprodhojë vizatimet e tij në mure. “Një ditë një shok më tha “nuk vizaton thjesht me laps, shkruan me stilolaps apo luan muzikë me instrument, por gjithçka që shfaq vjen nga mendja jote dhe bukuria e gjithçkaje që tregojmë është në konstruksionin e mendimeve tona”.

Murale realizuar nga artisti italian Nemo's

Nga ajo kohë nisi të përdorë personazhet e tij dhe vizatimet për të shprehur veten, për të çliruar idetë dhe për t’i përkthyer në diçka vizuale që nuk mund t’i shprehte me fjalë. “Ngadalë por me siguri, nisa të kuptoj se vizatimet janë shumë të fuqishme, sepse janë universale dhe në këtë mënyrë mund të mposhtësh edhe barrierën e gjuhës”. Në vizatimet e tij, aspekti më i rëndësishëm zbulon Nemo’s, nuk është mesazhi, por kërkimi i teknikës dhe emocionit. Puna e tij është e ndarë në imazhe esenciale dhe grafike, me mesazhe speciale dhe personazhe të sajuara që mbajnë e përcjellin veprime poetike dhe surreale si personazhe të kush e di ç’përralle…Artisti i ri italian e sheh përditshmërinë rreth tij nga një perspektivë kritike dhe e informuar, duke e përkthyer në imazhe përmes humorit të tij të spikatur makabër dhe cinik.

Murale realizuar nga artisti italian Nemo's


Shtysa e tij shprehëse është e frymëzuar kryesisht nga habia që ngjallet prej potencialit njerëzor në të njëjtën kohë nga neveria e të ashtuquajturës shoqëri e “civilizuar” që kemi krijuar; shoqëri që shtyp, poshtëron dhe na kthen mish për top, duke na burgosur brenda materies dhe në një kërkim spazmatik për përsosje dhe pavdekësi

Murale realizuar nga artisti italian Nemo's


Nuk është rastësi që protagonistët e veprave të tij janë kryesisht trupa të zhveshur, me forma të çuditshme dhe me lëkurë të flashkët, shpesh të lidhur, të ndarë copash apo të burgosur dhe gjithnjë viktima të pambrojtura dhe të çorientuara të gjendjes së tyre të degraduar njerëzore. Kontradiktat, trazimet dhe mashtrimet e botës ku jemi të shtrënguar të jetojmë, për pasojë marrin formën e maktheve që hedhin insinuata në mendjen dhe shpirtin e spektatorëve me shpresën për të zgjuar dëshirën e tyre për shpengim.
Zgjedhja e artit të rrugës si një mjet shprehës rrjedh nga vullneti për të shtrirë potencialin komunikativ të pikturave sa më shumë të jetë e mundur, duke i zhytur ato në strukturën e qytetit për të përfshirë në mënyrë demokratike njerëzit, që nxjerrin dobi nga ajo dhe ndajnë ndjesi dhe mendime me to.

Murale realizuar nga artisti italian Nemo's

Nëse shumë e kanë parë si përpjekje për të maskuar shëmtinë e mureve apo shtëpive në rrënim e sipër, si dikur nisma e kryebashkiakut të Tiranës, sot kryeminsitrit Edi Rama, që me lyerjen e fasadave të pallateve të ndërtuara gjatë komunizmit, bëri që bojërat të shpërthenin edhe në faqet e mediave më prestigjioze botërore, artistë si Nemo’s duan t’i mëshojnë pikërisht asaj shëmtie jo vetëm të godinave, por edhe të gjendjes njerëzore për të ngacmuar në mos të mirën, të paktën kohë për reflektim.

KONICA MINOLTA DIGITAL CAMERA

Jehona e artit të rrugës në Tiranë ka tingëlluar sërish botërisht. Por jo vetëm Tirana. Vitin e kaluar muralja e pikturuar në qytetin e Urës Vajgurore nga artisti "WD street art" u përzgjodh nga revista prestigjioze zvicerane “Wild Walls” si një nga 10 më të mirat në botë. Nga veprat e realizuara qershorin e shkuar në edicionin e parë “MurAl Fest”, “Girls just wanna have fun” e artistit Bifido, u përfshi në muralet më të mira të 2018-s, në revistën “I Support Street Art”. Pak ditë më parë edhe qyteti i Patosit u shndërrua nga një tjetër festival i artit të rrugës “I.S.A.F.A” , ku morën pjesë artistë nga Argjentina, Spanja, Greqi, Meksika dhe Gjermania.

Girls just wanna have fund, vepër e artisti Bifidio në Tiranë

Murale e realizuar në Patos, gjatë festivalit I.S.A.F.A


Gjashtë pikturat murale u realizuan në fasadat e pallateve kryesorë në kësaj qyteze industriale. Kjo ndërhyrje, sipas kuratorit të festivalit, piktorit Helidon Haliti dhe kryetares së bashkisë, Rajmonda Balili, është përpjekje për të sjellë gjallëri dhe ngjyra në qytet.
Por, në kryeqytet, banorët e Tiranës së Re, janë angazhuar ta mbulojnë veprën e artit, që u duket e shëmtuar dhe e turpshme. Por, megjithë njollat e bojës mbi çiftin që flet për zgjedhën e martesës, përkujdesjen si robërim të gruas, por edhe frikën nga vetmia të dy njerëzve që janë zhveshur në lakuriqësinë e mendimeve të trishta, vepra është një britmë se arti nuk ka për qëllim t’u pëlqejë të gjithëve dhe se, ata që kanë frikë prej tij, ose prej mendimeve që u kaplojnë tek projektojnë veten brenda tablosë, mund të kthejnë kryet e të bëjnë se nuk e kanë parë. Por do të jetë vonë dhe rrekje e kotë, sepse katarsisi me siguri do të ketë nisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë