Histori

Artisti i “degjeneruar” që u akuzua se planifikonte vrasjen e Hitlerit

Bukurisë (An die Schönheit) Otto Dix, 1922

Ndërsa u besojmë fotografëve dhe gazetarëve të luftës për zbulimin e tmerreve  në frontin e luftës, piktorët modernë dhe romancierët ofrojnë një tjetër lloj ndershmërie. Përmes fiksionit dhe skenave të imagjinuara, u japin shikuesve dhe lexuesve portretizime mbërthyese dhe përfshirëse sesi dukeshin zonat e konfliktit – edhe nëse krijuesit e tyre nuk ishin përballur ndonjëherë me luftimin. Për shembull, megjithëse Pablo Picasso nuk qe kurrë ushtar, ishte i aftë të identifikonte dhe riprodhonte gjendjen ogurzezë të Luftës Civile në Spanjë. Piktura e tij e famshme e 1937-ës, “Guernica” mbërthen gjendjen e kaosit, frikës dhe fundit kërcënues me pasqyrimin në shkallë të gjerë, të trupave të gjymtuar. Krejt ndryshe, artisti gjerman Otto Dix pati përvojë të vërtetë në llogore. Në vepra si Njeriu i Plagosur (Vjeshtë 1916, Bapaume) (1924) dhe Përparimi i Trupave nën Gaz (1924) ai kujton tmerret e luftimit për Gjermaninë,  në Luftën e Parë Botërore. E megjithatë, kur Dix i pikturoi këto vepra më 1920-ën, betejat e tij politike ishin thjesht fillimi,  ndërsa vendi i qasej më pranë sundimit nazist dhe Luftës së Dytë Botërore.

Biografia e jashtëzakonshme e Dix-it dhe penelat domethënës me të këqijat fashiste prodhuan disa nga portretizimet më evokuese të artit Perëndimor të dhunës dhe shkatërrimit që sundoi shekullin e 20-të.

Barrikada , Otto Dix, 1922


I lindur në Gjermaninë Lindore, Dix u shpërngul në Dresden në vitin 1910 për të studiuar art, por më 1914 –ën, vrasja e Arqidukës Franz Ferdinand i la mënjanë ambiciet e tij artistike. Ndërsa vendi i tij u radhit në krah të Austrisë në konfliktin që përshkallëzoi shpejt ndërkombëtarisht, Dix huri në radhët e ushtrisë gjermane. Ai luftoi si artiljer në llogoret franceze dhe ruse, duke fituar një Kryq të Hekurt dhe pësoi një dëmtim në qafë. Mbajti ditar gjatë shërbimit, duke skicuar tmerret përreth. Sipas Librit të Norbert Wolf, “Ekspresionizmi” , Dix bëri afro 600 vizatime dhe goashe gjatë viteve si ushtar, mes 1915 dhe 1918-ës. Pas luftës, u kthye në Dresden dhe rinisi veprimtarinë artistike.

Dix, Otto 1891–1969. “Metropolis” (Triptych), 1927–28. Oil on wood, 540 × 300 cm.

Duke marrë frymëzim nga veprimtaria e luftës, krijoi një seri në print, të titulluar “Der Krieg” (“Lufta”) (1924). Imazheria trazuese bardhezi, përfshin pamje groteske si një ushtar skelet që mbështetet në një shkëmb, me një pushkë të gjatë drejtuar në fytyrën e tij, një burrë me një tru të gjakosur, sy dhe dorë, gjuha e të cilit del jashtë gojës dhe trupat sulmuese me maska të frikshme që të kujtojnë të këqijtë e filmave horror. Zymtësi, dëshpërim dhe mizori rrezatojnë prej serive, që ishte e modeluar vetëdijshëm në printe, mbi veprën e Francisco de Goya-s “Katastrofat e Luftës” (1810–20),  e cila satirizon konfliktin spanjoll, të shekullit të 19-të.

Gjatë viteve 1920, Dix mbajti qëndrim skeptik kundrejt teprive pas-lufte të Gjermanisë; gjatë kësaj dekade, subjektet e tij ndryshuan nga ushtarë, në personazhe të sëmurë. Duke trupëzuar teknikat e Mjeshtërve të Vjetër në portretet e tij, ai përdori stile të vjetra ( piktura me tempera me veze, në një) për të pasqyruar personalitete  dallueshëm moderne. Ai krijoi shumë piktura prostitutash, si ajo e 1925-ës, “Marinari dhe Vajza”. Në një sfond të kuq, një detar hundëpërpjetë me një ngërdheshje djallëzore i hipën një prostitute të hirtë, me gjoks zbuluar. Më 1995-ën, Houghton Mifflin e përdori imazhin për kopertinën e romanit të Philip Roth-it “Teatri i Shabatit”, një meditim i zymtë mbi seksualitetin mashkullor – një konfirmim i mëtejshëm i portretit të fuqishëm të veprës, me një epsh djallëzor. Në portretin ndoshta më të famshëm të Dix-it, atë të gazetares Sylvia von Harden(1926), subjekti androgjin sheh ngultas përtej tablosë ndërsa mban një cigare gjysmë të djegur.  Gishtërinjtë e saj të gjatë e të hollë shkurajojnë po aq sa edhe shprehia e saj.

Der Krieg (Lufta), Otto Dix, 1924


Nisur nga promovimi i Übermensch ( Mbinjeriut) dhe përsosmërisë fizike (lexo:ariane) nuk është habi që Adolf Hitler nuk ishte admirues i veprës së Dix-it. Më 1933-shin, nazistët e detyruan Dix-in të largohej nga posti si mësimdhënës në Akademinë e Dresdenit dhe katër vjet më pas, ata i ekspozuan pikturat e tij në një ekspozitë të artit, të ashtuquajtur të “degjeneruar” në Munih. Pavarësisht tensioneve në rritje, Dix refuzoi të mërgonte. Ai “ishte i lidhur me Gjermaninë për shkak të familjes dhe gjuhës së tij piktorike”, shkruan Dr.Olaf Peters. As pikturat e tij me vetëdije shoqërore, të frymëzuara nga Mjeshtrit e Vjetër, nuk do të ishin kuptuar jashtë Gjermanisë. Edhe nën sundimin nazist ishte në gjendje t’u shiste piktura individëve dhe institucioneve dashamirëse.

Njeriu i Plagosur, Otto Dix

E megjithatë, edhe pse u përpoq të punonte nën radar, ngatërresat e tij me forcat fashiste vazhduan. Dix u burgos për dy javë më 1939-ën, pas përpjekjes së dështuar të Georg Elser-it për të vrarë Hitlerin, megjithëse ai nuk kishte fare të bënte me këto plane. Sipas Peters-it, policia gjermane dhe SS-të thjesht po rrethonin “personat drejtues të Republikës së Vajmarit”. Edhe atëherë, vështirësitë e Dix-it nuk kishin sosur. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nazistët e detyruan artistin 53 -vjeçar t’i bashkohej Volkssturm-it, Milicisë Popullore. “Ai mori uniformën në Konstanz dhe u stacionua në një bunker dhe në një lloj barrikade në provincë, duke pritur armikun”, rrëfen Peters. “Në fund, Dix-i nuk pati mundësi ta shmangte luftimin, u përfshi në një veprimtari të vogël dhe u kap”.


Ushtria franceze e shpalli Dix-in si të burgosur lufte dhe e dërgoi në një kamp në Alsasë, më 1945-ën. Sipas Peters-it, një oficer, admirues arti, e njohu dhe porositi prej tij portrete private dhe një vepër për altar. Një nga pikturat nga ajo kohë, “Portret i një të Burgosuri” (1945), shfaq një burrë pa flokë në një sfond me pemë gjembaçe. Satira e veprave të mëhershme të Dix-it,  ishte venitur në këtë imazh dhe ishte zëvendësuar me një zymtësi serioze. Më 1946-ën, francezët e liruan. Ai u kthye në Gjermani dhe vazhdoi të pikturonte, derisa vdiq, më 1969-ën. Vepra e larmishme e Dix-it është një e dhënë e një kombi në rrjedhje. Trajektorja e subjekteve të tij, nga tmerri i luftës te personazhet e gjallë të Vajmarit dhe kthimi në angështinë e fushës së betejës- pasqyron rrënimin moral të Gjermanisë. Por, pikturat mbeten trazuese  edhe sot, jo për shkak të mbërthimit të momenteve specifikë në histori, por sepse kullojnë një domethënie  të pakohë të sëmundjes kulturore. Nazistët e etiketuan Dix-in, “të degjeneruar” , por termi i shkon për shtat më shumë shoqërisë që ai pikturoi – që kanibalizon veten dhe shkon drejt shkatërrimit.
*Alina Cohen/ Artsy


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë